Regjisori Kastriot Çipi thotë se banka qendrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është ndërtuar me kapital privat dhe njihet me ligj e drejta t’i jepet 6% e kapitalit vjetor gjithë personave që kanë investuar. Në emisionin “Arnautistan” në MCN Tv, ai deklaroi se këta persona nuk duhet të fitojnë nga paraja, pasi paraja duhet të jetë pa interes dhe duhet të jetë prodhim i qeverisë. Sipas tij, ky është problemi më i madh që ka Amerika dhe të gjitha vendet e tjera që e kanë bankën qendrore private. “E kanë bërë private se kanë korruptuar bankierët, qeveritarët. Tendenca është që të shkohet drejt privatizimit të plotë, ndonëse niset me kapital të përzier. Pronësia e bankës qendrore amerikane është 100% private, administrimi është i përzier. Amerika nuk ka pasur kurrë një bankë qendrore publike me kapital 100% shtetëror. Kapitali është privat dhe privati merr 6% interes për çdo dollar që shtypin, kanë të drejtë të hedhin shumë më tepër dollarë në formën e huasë nga ajo që ka realisht. Është i vetmi biznes që vazhdon të funksionojë edhe pse i ka mbaruar licenca para 90 vitesh. Licenca ka skaduar në vitin 1933 dhe qysh atëherë nuk është rinovuar, ndonëse ligji ia ka dhënë të drejtën vetëm për 20 vjet, 90 vjet pa licencë dhe nuk guxon të mblidhet Kongresi dhe ta diskutojë”.



