Kreu i shoqatës së bareve dhe restoranteve, Enri Jahaj thotë se në këtë sektor ka dy lloj mungesash, ku përveç stafit menaxherial, pjesa më problematike është e pastrimit, pasi nuk ka më njerëz që të mirëmbajnë.
Në një lidhje për MCN Live, ai deklaroi se tashmë ka një ofertë të shtuar në bare dhe restorante që ofrojnë të njëjtin shërbim, por nuk ka më klientë.
Sipas tij, baret dhe restorantet janë në pritje që të fillojë sezoni që të mbushin ato gropa që kanë.
Ka një mungesë prej 20 mijë punëtorësh në këtë sektor, në Tiranë dhe rrethe, por në pamundësi të tyre të gjithë do kënaqeshin edhe me 10 mijë, apo 5 mijë pasi punësimi i punonjësve të huaj, deri më sot nuk ka rezultuar i suksesshëm.
Na shohin si vend trampolinë, si portë hyrëse drejt Europës. Sivjet alarmi është më i madh se vjet, nëse vjet gjetëm disa, sivjet situata është më dramatike.
I kemi bërë thirrje dhe ministrisë së Arsimit që të mbyllen studimet në muajin maj, por sezoni mbyllet në mes të korrikut dhe sezoni bëhet shumë i lodhshëm.
Ka gjithmonë njerëz që mendojnë se mund ta bëjnë më mirë se ai që e ka pasur përpara.
Në 90% të klientëve që hyjnë në një restorant, mendojnë se mund të bëjnë diçka më mirë se i zoti i lokalit dhe kjo është qasje globale jo vetëm tek ne.
Kjo do të thotë se sa sensitive është kjo ekonomi. Por ky biznes nuk është shumë i thjeshtë, pasi pjesa e shërbimit ka një orar masakrues, pastaj të mos vijmë te pjesa e punës dhe taksave.
Me një pakujdesi shumë të vogël mund të helmosh njerëz, mund të çosh në pasoja fatale. Uroj që njerëzit të mirëkuptojnë se shërbimi nuk është aq i thjeshtë kur je klient.
Jemi ende ai vendi që themi se kemi prurje shumë të mëdha në turizëm, jemi ende një vend në Europë që nuk kemi një diskotekë pas orës 12.00 të natës.
Këtu duhet të ndërhyjmë me vrap se është një industri që do i vijë në ndihmë qoftë shtetit me taksa dhe biznesit.
Ne nuk mund të kemi turizëm elitar, nëse nuk kemi industri nate. Nëse kemi turizëm, hajde të themi se kemi tendencë turizmi të mirë.
Por nëse duam që këta njerëz të na vijnë prapë, hajde t’ua ofrojmë dhe këtë mundësi.
Para dhjetë vitesh kishim industrinë e natës më të bukur në rajon. Sot është prishur.
Ndoshta qeveria mund ta shohë te daullet dhe zhurma, por ka të tjerë që i durojnë zhurmat dhe mund të kenë një vend që shkarkojnë energjitë e tyre.
Jeta e natës i duhet turizmit tonë, siç i duhen ato hotelet me 5 yje. Ne shyqyr që kemi një shërbim shumë të mirë ende.
Nëse do bëhemi vend për turizëm pleqsh, nuk besoj se do të bëhemi vend për turizëm elitar.
Nga 21 mijë bare dhe restorante që kemi pasur në vitin 2019, kemi pasur një 10% faliment, kryesisht në zonat e vogla dhe rrethe.



