Kosova kujton sot 21-vjetorin e çlirimit.
Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër bazave ushtarake serbe në Kosovë, në Serbi dhe në Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës, që do të quhej KFOR.
Misioni paqeruajtës i dha fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave ushtarake dhe policore serbe.
Ndonëse nuk është festë zyrtare, 12 qershori konsiderohet si një nga ditët më të mëdha të historisë së Kosovës.
Hyrja e NATO-s ktheu në Kosovë mbi një milion shqiptarë.
Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit të mbi 1 milion shqiptarëve të Kosovës që ishin detyruar të linin shtëpitë e tyre.
Kuvendi mban seancë solemne
Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë solemne. Pas përfundimit të seancës në oborrin e Kuvendit do të mbillen 1133 lule në shenjë kujtimi për fëmijët e vrarë gjatë luftës së fundit të Kosovës.
Avdullah Hoti
Kjo ditë është e veçantë, sepse këtë ditë secili prej neve e kemi parasysh entuziazmin dhe emocionin e qytetarëve të Kosovës në ato ditë qershori ndërkohë që trupat e NATO-s futeshin në Kosovë. Ajo është memoria jonë kombëtare që duhet ta mbajmë gjithnjë afër dhe të jemi gjithmonë falënderues për mbështetjen e jashtëzakonshme që kemi pasur nga partnerët tanë ndërkombëtarë për lirinë tonë të cilën e gëzojmë.
Ramush Haradinaj
U përulemi të rënëve dhe u falënderohemi përjetësisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve aleate të NATO-s, që Kosovës i dolën në krah, në kohën më vendimtare në historinë e saj! Kosovë, urime Dita e Çlirimit!
Edi Rama
21 vjet që ikën shumë shpejt nga një ditë e bekuar që kurrë nuk do të ikë prej kujtesës sonë kombëtare!



