Gazetari Arsen Rusta zbuloi për MCN Live të tjera detaje nga skandali me mjekët e Onkologjikut, të cilët zhvasnin pacientët me sëmundje tumorale. Rusta thekson se janë përgjuar komunikimet e mjekëve në Whatsapp, ku ka patur edhe një përplasje mes tyre. Sipas gazetarit hetimi do të vijojë edhe më tej, duke përfshirë edhe pastrimin e parave.

"Denoncimi i një familje nga Burreli në vitin 2023, për mos dhënien e shërbimit dhe kërkimin e parave është depozituar në SPAK. Janë bërë hetime dhe verifikime dhe ka qenë një vendimmarrje e SPAK, për ta kaluar atë në Prokurorinë e kryeqytetit. Një dosje e cila është ndjekur nga prokurori Bledar Valikaj ka nxjerrë në pah një skemë, një përplasje mes mjekëve. Po t’i referohemi dosjes voluminoze me afro 100 faqe, ka disa të dhëna që vijnë nga Whatsappi. Një është grupi i Onkologjikut, dhe një janë komunikimet private të mjekëve, që ishin anëtar të grupit.
Debati dhe shkelja e ligjit nis në vitin 2020-2021, kur është bërë investimi për aparaturën e kobaltit, trajtimin me rreze të sëmundjeve tumorale. Ky investim publik asnjëherë s’ka qenë funksional, thotë Prokuroria në reagimin e saj, dhe ishte përplasja mes mjekëve, mos ushtrimi i detyrës dhe shkelja ligjore e zv.drejtoreshës Qirjazi për të lënë jashtë funksionit, edhe pse ajo mund të përdorej dhe trajtimi të kalonte për gjithë pacientët. Po çfarë ndodhte me ndihmën e koordinatorit dhe mjekut Edmond Gashi, një skemë e ndërtuar edhe me farmacistë, mjekë dhe koordinatorë të spitalit, i kalonin te klinika ‘Megis’ që kishte një specializim për sëmundjet tumoriale.
Flasim për çmime që arrijnë nga 300-500 euro për çdo pacient dhe deri në 1500 euro për sëmundje më të rënda. Gjithçka bëhet krejt e rëndë kur mjeku e konsideron pacientin, “vari lesht”, për një pacient që s’kishte mundësi për të paguar, duke e ofenduar në këtë mënyrë. Me ndryshimin penal nuk aplikohet masa e sigurisë “arrest me burg” për mjekët. Kjo është arsyeja pse s’ka asnjë arrest me burg, s’e lejon legjislacioni.
Prokuroria ka mundur të faktojë përmes përgjimeve në Whatsapp se flitet për shifra ekonomike. Asnjëri s’është kapur me para në dorë. Ajo që pritet të ndryshojë klasifikimin e veprës penale, është faktimi që mjekët s’jepin dozat e plota. Ky hetim s’do të ndalet këtu, do vijojë edhe te pastrimi i parave. Ka një vlerë ekonomike prej afro 10 mijë euro, të sekuestruara cash. Nuk ka një masë për sekuestro preventive për klinikën ‘Megis’ dhe kompaninë ‘Flori Pharma’. Klinika mund të jetë mbyllur, sepse pronari mund ta ketë mbyllur”.



