Deputeti i PS Petro Koçi deklaroi në MCN Live se listat e hapura në zgjedhje japin më shumë shanse për përdorimin e parave, dhe shton mundësinë që vota politike të deformohet në votë me natyrë personale, krahinore dhe financiare.
Po ashtu ai kërkoi që mendimi se fitorja e PS është e garantuar të mos ndikojë te mazhoranca që fushata të shihet si shans për karriera personale.
Sipas deputetit, në listën e mbyllur duhet të përfshihet gjysma e grupit parlamentar, ku përfshihet edhe qeveria.
“Çdo individ që ka interes për të kandiduar është në proces meditimi dhe diskutimi mes kolegësh. Derisa nuk ka proces zyrtar të hartimit të listave është e pamundur të hapet ndonjë diskutim apo debat. Kjo është një fushatë ndryshe nga të tjerët. 46 janë te lista e mbyllur dhe plus 140 te lista e hapur. Gjysma më e mirë e grupit parlamentar, ku përfshihet edhe qeveria, duhet të jetë te lista e garantuar. Kjo është 46. Ndërkohë ke 140 që është mundësi për gjysmën tjetër të grupit dhe kandidatura që vijnë nga platforma ‘Deputeti që duam’, apo propozime me natyrë tjetër.
Rreziku i një partie të madhe si PS, në momentin që mendon se fitorja është e garantuar, kjo s’duhet katandiset në perceptimin që ‘u bë deti kos’, dhe që këtu mund të kandidojë kushdo, për ta menduar këtë fushatë si shans për epshe për karriera personale të gjithkujt. Duhen kritere sa më të qarta, dhe s’është normale që mund të krijohet perceptimi që qarqet janë si çifligje personale për të realizuar karriera personale të gjithkujt.
Garancia që ti fiton zgjedhjet mund të reduktojë shumë energji. Lista e hapur më shumë sjell infeksion elektoral, sjell mungesë kontrolli mbi procesin, dhe i jep shanse përdorimit të parasë. Mundësia që vota politike të deformohet në votë me natyrë thjesht personale, për arsye krahinore, influencë financiare, është shumë e madhe që të kafshojnë vota, kështu që duhet edhe në këtë aspekt një kujdes shumë i madh”.
Lidhur me hetimet e SPAK, ai u shpreh se në momentin që ka disa njerëz në dyert e drejtësisë, edhe PS e mban një lloj përgjegjësie.
Koçi tha ndër të tjera që PD po përpiqet ta dekurajojë pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhjet e 11 majit.
“PD duhet të ketë arsye që kërkon ta shkurajojë pjesëmarrjen e diasporës në votim. Më sa duket sondazhet e tyre nuk janë aq inkurajuese dhe çdo ditë përpiqen të nxjerrin ndonjë yçkël të re që dekurajon dhe bllokon disa zgjidhje teknike të cilat janë të logjikshme dhe zgjerojnë mundësinë dhe i japin mundësi diasporës të jetë edhe në numra më të mëdhenj në pjesëmarrje”.



