
Nga emisioni “Arnautistan” në MCN TV studiuesi e kritiku i teatrit Josif Papagjoni foli për letërsinë në komunizëm. Duke folur për shkrimtarin Ismail Kadare, Papagjoni tha se ai është fenomen krejt i veçantë dhe i vështirë për tu interpretuar. Sipas studiuesit Kadare është i lindur për letërsi, ndërkohë që shpreh se ai i iku komunizmit duke shmangur realitetin me anë të metaforave.
“Fenomeni Kadare është krejt i veçantë, është vështirë edhe të interpretohet edhe se si harmonizohet dhe si qëndron letërsia e tij përballë një diktature, një censure të fortë. Por të mos harrojmë se edhe Agolli dhe Kadare kanë pasur letërsi edhe pas viteve 90-të. Për mua Agolli ka bërë kapërcime të dukshme. Prej “xhaketës” së Kadaresë dolëm ne të gjithë. Fenomeni Kadare është paradoksal, i çuditshëm që në krye të herës kishte të menduar letrar, ishte i lindur për letërsi, bënte kompromis aq sa i duhej dhe këtë e bëri nëpërmjet metaforave, alegorive dhe nëpërmjet migrimit nëpërmjet subjekteve, historive të vjetra të Shqipërisë mesjetare, trimërore bashkë me mitet që iknin jashtë Shqipërisë dhe kjo është bukuria dhe madhështia e letërsisë së Kadare. Ndoshta e mitizoj, por unë kam mendimin që në letërsinë shqipe është Kadare numërohet deri në 7 dhe më pas vijnë të tjerët”, tha Papagjoni.



