
Sot, në Kosovë mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar në katër komuna të vendit: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për Kosovën ka publikuar në faqen e vet zyrtare të dhënat për votuesit që do të marrin pjesë.
Numri i qendrave të votimit në këto katër komuna është 44 me gjithsej 87 vendvotime.
Të drejtën për të votuar në këto katër komuna e kanë 57 mijë e 983 votues apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.
Të gjitha vendvotimet hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.
KQZ-ja ka akredituar 464 vëzhgues për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Ata përfaqësojnë 2 parti politike, 2 misione ndërkombëtare, 1 Komision Evropian, 2 misione diplomatike, 12 ambsada, 1 OJQ ndërkombëtare, 4 OJQ vendore dhe 15 media.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka njoftuar se procesi i votimeve po shkon sipas parashikimeve.
Kryetarët e komunave veriore: Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq, më 26 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie ndaj vendosjes së taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për importet nga Serbia.
Në këto zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar komune kandidatët janë nga Lista Serbe, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.



