28 ambasadat e BE-së në Tiranë kanë lëshuar një deklaratë të fortë pas dështimit të takimit Rama - Basha. Në një qëndrim të përbashkët ata bëjnë thirrje për miratimin e reformës në Kuvend.
Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Bashkimi Europian ka shpërndarë të njëjtën deklaratë ku i kërkon qeverisë që ta dërgojë draftin e Reformës në Drejtësi në Kuvend dhe i bën thirrje deputetëve në mënyrë individuale të miratojnë reformën. Ambasada e BE-së nuk flet në emër të vetëm Komisionit Europian por të të gjithë shteteve anëtare të BE-së.
Deklarata e plotë:
“Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare të BE-së në Tiranë shprehin keqardhjen që udhëheqësit politikë në Shqipëri nuk mundën të arrinin të hënën një marrëveshje për reformën në drejtësi.
Ne e mbështesim fort vazhdimin e procesit demokratik për të siguruar miratimin e propozimit aktual legjislativ, i cili përputhet plotësisht me standardet evropiane dhe angazhimet e Shqipërisë ndaj BE-së.
Të gjithë anëtarët e Kuvendit mbajnë përgjegjësi të veçantë para shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që kërkojnë një gjyqësor të pavarur, profesional, të paanshëm dhe efektiv.
Ne e nxisim Shqipërinë të ndërmarrë hapat e nevojshme për miratimin e paketës ligjore për reformën në drejtësi”.



