
BE-ja ka propozuar masa më të ashpra kundër Rusisë, duke përfshirë një ndalim total të importeve të naftës dhe sanksione ndaj të dyshuarve për krime lufte.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se paketa kishte për qëllim maksimizimin e presionit ndaj Rusisë duke minimizuar dëmin në Evropë.
Nafta e papërpunuar ruse do të hiqet gradualisht brenda gjashtë muajve, tha ajo.
Hungaria e ka hedhur poshtë propozimin si të papranueshëm, ndërsa një periudhë tranzicioni kanë kërkuar edhe qeveritë çeke dhe sllovake.
BE-ja është fokusuar për javë të tëra se si të largohet nga nafta dhe gazi rus. Ajo tashmë është zotuar të reduktojë importet e gazit me dy të tretat deri në fund të vitit 2022 dhe tani planifikon të heqë gradualisht naftën e papërpunuar për gjashtë muaj dhe produktet e rafinuara deri në fund të 2022.
“Ne do të sigurohemi që të heqim gradualisht dhe rregullisht naftën ruse”, tha presidentja e Komisionit Evropian. Paketa fillimisht duhet të miratohet nga ambasadorët e BE-së dhe pritet të nënshkruhet në ditët në vijim.



