
Gjykata Administrative ka shfuqizuar vendimin e marrë nga Autoriteti i Dosjeve, se prokurori Bujar Sheshi është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Administrativja ka pranuar kërkesë padinë e anëtarit të KLP-së, Bujar Sheshi dhe se në vendimin e saj, Gjykata sipas avokatit mbrojtës të Sheshit ka pranuar pretendimet se nuk është i njëjti person dhe se ai nuk është një bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, porse ka kryer punën e tij si hetues në atë kohë në përputhje me ligjin.
Avokati i Bujar Sheshit: “Pretendimi kryesor ka të bëjë me faktin që ai autoritet nuk mund të interpretojë aktet që ka gjetur në arkivat e ndryshme, por duhet të informojë autoritetin që ia ka kërkuar këtë informacion në mënyrën si e gjen atë informacion dhe jo të interpretojë duke thënë që një person nuk ka gjeneralitetet e njëjta me z. Bujar Sheshi është ai, duke konkluduar, pra, bazuar mbi disa elementë që pretendon se i ka analizuar. Duhet të kishte përcjellë një informacion të saktë në mënyrën si e ka gjetur dhe ne kemi sjellë prova të mjaftueshme, të plota që nuk është i njëjti person. Nuk mund të dilnin në këtë konkluzion"
Nga ana tjetër , Gentiana Sula në cilësinë e kryetares së Autoritetit të Dosjeve paralajmëroi apelim të vendimit të gjykatës Administrative.
Gentiana Sula, kryetare e AIDSSH-së: “Unë i besoj atij qëndrimi që kemi mbajtur, vendimi ka qenë i paanshëm, i pandikuar, natyrisht do ta apelojmë vendimin”
Paralelisht me padinë në Gjykatën Administrative, prokurori Bujar Sheshi paditi edhe në Prokurorinë e Tiranës Autoritetin e Dosjeve dhe kreun e saj, Gentiana Sula.
Në padinë e prokurorit Sheshi thuhet se AIDSSH-ja ka shpërdoruar detyrën dhe ka falsifikuar dokumentet , më qëllimin e vetëm sipas tij, cënimin e integritetit moral dhe profesional.



