
Në 25-vjetorin e Shkollës së Magjistraturës, Presidenti Bajram Begaj, deklaroi se me ndryshimet kushtetuese shkolla është përballë sfidave e përgjegjësive më të mëdha.
Sipas kreut të shtetit, misioni strategjik i formimit profesional të gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve të shtetit, kancelarëve, ndihmësve dhe këshilltarëve ligjorë në programin e formimit fillestar apo atë të vazhduar, e vendos Shkollën e Magjistraturës në një pozicion shumë të rëndësishëm dhe kritik, duke qenë pragu i hyrjes së tyre në sistemin e drejtësisë.
Begaj deklaroi se puna e Shkollës së Magjistraturës ka ndikim përcaktues në cilësinë e prurjeve në gjithë sistemin e drejtësisë, në formimin e magjistratëve të një niveli të lartë profesional dhe moral, në rritjen e besimit të publikut në figurën e autoriteteve të drejtësisë dhe sistemit të drejtësisë në tërësi.
Si një institucion i pavarur ndaj pushteteve të tjera, është shumë e rëndësishme që procesi i rekrutimit dhe vlerësimit të kryhet me objektivitet e transparencë, që mësimdhënia të jetë cilësore dhe institucioni të konsolidojë më tej pavarësinë në ushtrimin e funksioneve kushtetuese.
Pavarësia dhe paanshmëria në punën tuaj sot, janë çelësi i pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve nesër. Pavarësia juaj sot, do të thotë vendime të drejta dhe të paanshme nesër.
Misioni që ka sot Shkolla e Magjistraturës për përgatitjen dhe formimin profesional e moral të profesionistëve të drejtësisë është në fakt, një mision që mbart rëndësinë historike të krijimit të një sistemi të qëndrueshëm të drejtësisë dhe ndërtimit të një shoqërie të mbështetur në të drejtat dhe liritë e individit dhe barazinë e tij para ligjit.
Sepse, vetëm barazia para ligjit krijon shoqëri të qëndrueshme, të drejtë dhe në harmoni sociale.



