
Kreu i Partisë Demokratike Fatmir Mediu tha në studion e MCN Live se opozita duhet të bëjë marrëveshje për të pasur përfaqësi nga i gjithë spektri politik opozitar në komisionin e Reformës Zgjedhore.
Duke vijuar më tej, Mediu theksoi se drejtuesi duhet të përfaqësojë minimalisht mazhorancën opozitare.
Mendoj që komisioni i Reformës Zgjedhore është komision bipartizan që në inicimin e tij ka pasur si bazë marrëdhënien mes pozitës dhe opozitës. Nuk ka të bëjë me emrat, por me pozitën dhe opozitën. Të përfaqësosh opozitën do të thotë të kesh minimalisht besimin e 50% të deputetëve të opozitës.
Mund ta bëj dhe unë përfaqësuesin, por nuk mundem se nuk përfaqësoj konsensusin e opozitës. Ose do të ketë konsensus, ose mazhorancë të cilësuar nga opozita ose mazhorancë te thjeshtë për atë që do përfaqësojë të drejtën e vetos së opozitës.
E drejta e vetos nuk i është dhënë Bashës, Alibeajt, Mediut, por opozitës.
Ne duhet të bëjmë marrëveshje brenda opozitës për të pasur përfaqësi nga i gjithë spektri politik opozitar brenda komisionit të reformës zgjedhore.
Drejtuesi duhet të përfaqësojë minimalisht mazhorancën opozitare. Kjo është logjika dhe më e thjeshta.
Sipas Mediut, ndërkombëtarët ditën e djeshme dhanë 2 mesazhe, një për Ramën që të garantojë që reforma zgjedhore të jetë gjithëpërfshirëse dhe e dyta për Bashën që të mos e përdorë emrin e ndërkombëtarëve vend e pa vend.
E rëndësishme të ulemi, të përcaktojmë përfaqësinë dhe kush janë qëndrimet që kemi në raport me Reformën Zgjedhore.



