
Dy ministrat e rinj Bledi Çuçi dhe Milva Ekonomi u betuan sot në Presidencë.
Pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt, kryeministri Rama ka emëruar Bledi Çuçin si ministër të Brendshëm dhe Milva Ekonomin si ministër Bujqësie.
Presidenca njofton se të dy kanë bërë betimin dhe kanë vendosur dorën mbi Kushtetutë.
NJOFTIMI I PRESIDENTIT:
18 dhjetor 2020
Në Institucionin e Presidentit të Republikës u zhvillua sot në mesditë ceremonia e betimit të anëtarëve më të rinj të kabinetit qeveritar, Ministrit të Brendshëm, zotit Bledar Çuçi dhe Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, zonjës Milva Ekonomi.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, Ministri Çuçi dhe Ministrja Ekonomi u betuan me dorën mbi Kushtetutë para Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta: “Betohem në nderin tim, se do të zbatoj me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave”.
Kreu i Shtetit u dorëzoi dekretet përkatëse të emërimit Ministrit të Brendshëm Çuçi dhe Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Ekonomi, duke u uruar suksese në detyrat e tyre të reja e të rëndësishme. Në ceremoni, ishin të pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrisë, zoti Engjëll Agaçi si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit.



