
Svetllana Cikanuskaja, kundështarja më e fortë e presidentit bjellorus Aleksandër Lukashenko, në një fjalim virtual nga Lituania, u është drejtuar eurodeputetëve duke u kërkuar që të mbështesin revolucionin demokratik që po ndodh në vendin e saj.
"Bjellorusia është zgjuar. Ne nuk jemi më opozitë, por ne jemi shumica tani", tha ajo.
Cikanuskaja përsëriti kërkesat e protestuesve për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe kërkoi t’i jepet fund dhunës policore në Bjellorusi, duke deklaruar se qytetarët e vendit të saj meritojnë një jetë më të mirë.
Fjalimi i lideres opozitare u prit me një duartrokitje nga anëtarët e komitetit, edhe pse pati edhe nga ata që nuk janë pajtuar me qëndrimet e saj
Manu Pineda, një eurodeputet spanjoll për Partinë e Majtë të Bashkuar, u tregua i ashpër ndaj fjalimit të Cikanuskajës.
"A jeni e përgatitur të vendosni sanksione kundër njerëzve tuaj sepse ata nuk ju votuan dhe a po kërkoni gjakderdhje siç ndodhi në Ukrainë?”, iu drejtua Pineda, kandidates për presidente përballë Lukashenkos.
"Ne duhet të respektojmë të drejtën sovrane të popullit të Bjellorusisë për të vendosur se kush do t'i qeverisë ata", vazhdoi ai.
Por eurodeputeti gjerman David McAllister ndau një qëndrim krejt të ndryshëm duke thënë se Cikanuskaja meritonte respektin më të madh për guximin që tregoi gjatë zgjedhjeve dhe pas tyre, megjithë koston e madhe që ndërmori.
Ndërsa Presidenti i Këshillit të BE-së, Sharl Mishel, shkruajti në Tuiter se bjellorusët kanë dalë në rrugë me protesta dhe greva masive, nga familjet e zakonshme deri te studentët dhe punëtorët e fabrikës. “Ata meritojnë të drejtën demokratike të zgjedhin liderët e tyre dhe të formojnë të ardhmen e tyre" , e mbyll postimin Mishel.
Rezultatet zyrtare të votave të 9 gushtit i dhanë Lukashenkos 80 për qind të votave dhe Cikanuskajës vetëm 10 për qind, por opozita pretendoi se zgjedhjet ishin të manipuluara.



