
Analisti politik Fidan Ukaj, deklaron se tensioni në Veri të Kosovës është vazhdimësi e tensioneve të herë pas hershme që krijohen në atë pjesë të vendit.
Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN Tv, ai deklaroi se vetë qytetarët serbë që jetojnë në atë pjesë të Kosovës, janë të atakuar dhe sulmuar nga strukturat kriminale që Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç i financon që të krijojnë probleme në atë pjesë.
Patëm mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të institucioneve të Kosovës dhe deklaratën e Kryeministrit të vendit, i cili do jetë i vendosur që bllokadat e vendosura në atë pjesë do të largohen dhe do të vendoset ligjshmëria dhje në atë pjesë të Kosovës.
Është e çuditshme si nuk kemi pasur ende reagim nga SHBA dhe Bashkimi Europian. Pamë një reagim të ambasadorit amerikan për sulmin ndaj pjesëtarëve të EULEX.
Kjo është e çuditshme se pjesa e sigurisë është pjesë edhe e institucioneve ndërkombëtare. Është e çuditshme se si bashkësia ndërkombëtare nuk ka reaguar akoma fuqishëm ndaj Serbisë dhe Presidentit Vuçiç që ka shprehur përkrahjen për strukturat paralele serbe, duke thënë ‘ne nuk dorëzohemi’.
Bashkësia ndërkombëtare ka qenë gjithmonë e kujdesshme për të shtyrë zgjedhjet së fundmi dhe në raste të tjera implementimin e marrëveshjeve të ndryshe.
Qeveria e Kosovës ka dëgjuar zërin e bashkësisë ndërkombëtare, kur Presidenti dhe Kryeministri dëgjuan për shtyrjen e zgjedhjeve.
Ne keni sot barrikada për arrestimin e një ish-zyrtari serb, i cili akuzohet se ka hedhur bomba në zyrat e Komisionit të Zgjedhjeve në Kosovë.
Qëllimi i Serbisë është vazhdimi i anarkisë dhe përmes saj të kërkohet që një zgjidhje e tillë të gjendet në Bruksel. Ne i dimë kërkesat e Beogradit, që serbët të kenë një shtet brenda shtetit.
Por jam i bindur që institucionet e Kosovës nuk do e lejojnë, dhe ligjshmërinë do e shtrijnë në atë pjesë të vendit.
Lidhur me reagimin e Kryeministrit shqiptar Edi Rama për situatën në Veri, duke kërkuar që Bashkimi Europian të thërrasë me urgjencë tryezën e dialogut, deklaroi se angazhimi i shtetit shqiptar është i mirëpritur qoftë në njohe apo lobingje për njohje.
E çuditshme është se si zoti Rama, afërsinë që ka me Presidentin Vuçiç është i fundit që reagon në raste të tilla, dhe nuk e shfrytëzon afërsinë me Vuçiç që nëse dëshirojnë një Ballkan të Hapur, Ballkani i Hapur nuk mund të shkojë përpara me tensione dhe probleme.
Si mund t’i thuhet Kosovës të bashkohet me Ballkanin e Hapur, për sa kohë Vuçiç financon strukturat paralele në Veri.
Në Kosovë, ka pasur kritika ndaj Ramës për reagim të vonuar. Kërkesa e Vuçiç për realizimin e asociacionit ka qenë në vazhdimësi dhe vazhdon të jetë e tillë.
Vuçiç tenton që përmes krijimit të asociacionit të ketë kompetenca ekzekutive dhe të krijojë sërish destabilitet legal brenda për brenda Kosovës.
Gjykata Kushtetuese ka deklaruar qartë se një asociacion i tillë nuk do jetë një etnik, se ka komunitete të tjera jo vetëm serb, si romë dhe ashkali dhe krijimi i një asociacioni të tillë do krijonte precedentë.
Një asociacion shtesë siç e dëshiron Beogradi, do e penalizonte shtetin e Kosovës.
Kemi dëgjuar nga bashkësia ndërkombëtare një kërkesë të tillë, ne urojmë që një kërkesë të tillë për krijimin e një asociacioni pa kompetenca ekzekutive, të zbatohet në planin gjithëpërfshirës.
Urojmë të kemi marrëveshje gjithëpërfshirëse, ku do të definohet edhe çështja e asociacionit.
Sa i takon vijimi të dialogut Kosovë-Serbi në kushtet kur Vuçiç kërcënon se do të fusë ushtrinë në Kosovë, Ukaj deklaroi se kërcënimet e tij kanë qenë të vazhdueshme, dhe se deklarata të ngjashme kanë qenë në mënyrë të vazhdueshme.
Është ish-ministër i propagandës së Millosheviçit. Kufijtë e Kosovës janë të sigurtë nga NATO dhe nuk besoj se Vuçiç dëshiron një bombardim të dytë nga kjo aleancë dhe nuk besoj se do të ketë një luftë mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjithë çfarë mund të bëjë është destabilizimi i Veriut të Kosovës me struktura paralele që Vuçiç i përkrah haptaz.



