Zjarret në zonën e fshatit Vernik, në bashkinë Devoll, vijojnë të jenë aktive, megjithëse intensiteti i tyre ka rënë për shkak të temperaturave më të ulëta dhe ndërhyrjeve të strukturave vendore, njofton për “MCN Live” korrespondentja nga Korça, Elsa Xhindole.
Ajo raporton se në Dishnicë zjarri është ende aktiv, për shkak të vështirësive të ndërhyrjes në terrenin e thepisur.
Në fshatin Vernik të bashkisë Devoll, zjarri është neutralizuar mëngjesin e sotëm, falë temperaturave të ulëta gjatë natës dhe punës intensive të forcave zjarrfikëse që kanë qenë në terren gjatë gjithë kohës.
Për fat të keq, situata është më e vështirë në Dishnicë, ku terreni i thepisur paraqet një problem të madh për vazhdimin e punës për shuarjen e flakëve.Megjithatë, në këtë zonë, intensiteti i zjarrit është ulur falë kushteve më të freskëta të motit.
Që nga ora 5 e mëngjesit, janë angazhuar dy mjete ushtarake, 31 forca ushtarake, një mjet zjarrfikës, 5 forca zjarrfikëse, dy mjete pyjore dhe 10 forca pyjore për të vazhduar punën në shuarjen e flakëve.Në lidhje me zjarri që u raportua mbrëmë në Goricë të bashkisë Pustec, mësohet se ai është neutralizuar dhe izoluar nga forcat zjarrfikëse.



