Ish-deputeti socialist Alqi Bllako merret i pandehur për “korrupsion” kryer në dy raste, edhe për inceneratorin e Tiranës. Pak ditë më parë, prokurori Dritan Prençi i ka komunikuar akuzën Bllakos, i cili prej më shumë se dy vitesh ndodhet në qeli për inceneratorët.
Në muajin prill të këtij viti, SPAK çoi për gjykim një pjesë të të akuzuarvë për inceneratorin e Tiranës. Konkretisht ish ministrin e mjedisit Lefter Koka, Pëllumb Abeshin, Erjon Murataj, Bledar Karolin, Taulant Tushën, Namik Simixhiu, Etleva Kondi, Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Jetmir Llapaj si dhe Silena Tolën. Organi i akuzuës i komunikoi atyre akuzën “shpërdorim detyre”.
Koka, Bllako, Tusha dhe Karoli ndodhen në masën “arrest në burg”, ndërsa Alba Thoma, Ballgjini, Temali, Kondi, Abeshi dhe Tola në masën “arrest në shtëpi”. Namik Simixhiu ka masën “detyrim paraqitje”.
Për inceneratorin e Elbasanit Alqi Bllako u shpall i pafajshëm nga shkalla e parë, ndërsa për inceneratorin e Fierit ai u dënua me 4 vite, dënim i cili zbriti në 2.8 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Në një raportim për MCN Live gazetari Arsen Rusta bën me dije:
"Janë shtuar akuzat nga shpërdorim detyre në rastin e Fierit, SPAK thotë që z.Bllako është përgjegjës edhe për korrupsionin e kryer në dy raste në aferën ose dosjen e inceneratorit të Tiranës, ku ai ka marrë para në këmbim të favorizimit të kompanisë e cila menaxhonte inceneratorin. Këto para i ka marrë në formën e 150 mijë eurove si për blerjen e një apartamenti ashtu edhe një makinerie për tapat e shisheve të birrës, kundrejt punishtes që kishte vëllai i tij. Z.Bllako ndodhet në qeli. Në momentin që ai përgatitej për të dalë nga burgu, u caktua një tjetër masë sigurie. Ai rri në burg sepse ka një masë tjetër sigurie. Ndaj z.Bllako është në këtë moment akuza e korrupsionit, por jo në bashkëpunim".



