
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka sulmuar sot sërish TvT gjatë një bisede të hapur me gazetarë. Z. Basha nuk e ka pritur mirë një pyetje që i është drejtuar për qëndrimet e tij të mëparshme për aleatin e vet, LSI-në, dhe ka kaluar në sulm verbal duke deklaruar se TvT dhe ata që e drejtojnë, duan të përçajnë opozitën.
Kjo akuzë përbën kontradiksion logjik në kontekstin praktik të zhvillimeve pasi përpara se ne ta përçajmë, duhet që z. Basha ta bashkojë atë. Por a ka ndodhur një gjë e tillë? Pak interes ka kjo gjë, pasi në fund të fundit, bashkimi i forcave politike nuk është detyra jonë.
Detyra jonë është të pyesim, të kërkojmë të dhëna, të investigojmë, të informojmë dhe të jemi korrektë me ata që pranojnë të prononcohen apo ata që janë objekt dhe subjekt i materialeve tona. Ne besojmë se e kemi bërë një gjë të tillë dhe z. Basha nëse do të kishte pak respekt për të vërtetën do ta dinte këtë. Njerëz të afërt të tij janë shumë shpesh në ekranin tonë, ku pyeten dhe përgjigjen normalisht dhe citohen në mënyrë korrekte. Kushdo mund ta verifikojë një gjë të tillë.
Nuk është hera e parë që z. Basha adopton një sjellje të tillë me reporterët e TvT, me sulmin burracak ndaj të cilëve mendon se po dërgon ndonjë mesazh të fortë përmes të cilit gjëmon e vërteta.
Thartimin e parë, z.Basha e pati kur u pyet për përfshirjen në tenderin e fiskalizimit të një kompanie ku rol kyç ka sekretari Organizativ i PD-së, Sahit Dollapi. Asokohe, TvT u shpall televizion oligarkësh. Sot u pyet për një karburant dhe qëndrimet ndaj LSI-së dhe televizioni ynë u shpall se ka axhendë kundër opozitës. Të gjithë ata që ndjekin zhvillimet politike mund ta kuptojnë lehtë se z. Basha nuk e ka shumë të qartë atë që thotë.
Ai sulmon diçka që e imagjinon dhe refuzon të informohet për atë që është në të vërtetë. Po të lodhet pak, do ta kuptojë; le të pyesë bashkëpunëtoret e vet për këtë dhe t'u lutet që mos ta gënjejnë, por përtej këtij aspekti komik ku e përfshin veten z. Basha duhet të sqarojmë se TvT as ka ndonjë axhendë kundër opozitës, por as i pasqyron qëndrimet e saj me merakun se mos allnohet Lulzim Basha.
As edhe “bisedon" me të sipas parimit “do bëjmë pyetjet e duhura”. Gënjeshtrat, pasiguritë dhe inkoherenca e provokojnë natyrshëm axhendën gazetareske. Pyetjet dhe përsëritjen e tyre. Kaq juristi Basha duhet ta kuptojë. Mbulimin e tyre mund ta ketë detyrë tjetër kush, jo TvT.
Në fund, dy fjalë për keqkuptimin që ky zotëri ka me veten dhe rolin e tij, të cilin e ka dëmtuar në mënyrë të pakonkurrueshme.
PD-ja dhe z. Basha janë pjesë e opozitës, nuk janë opozita. Për ata që duan të kuptojnë dhe lexojnë, TvT ka qenë në opozitë me vendime dhe qëndrime që bien ndesh me ligjin dhe interesin publik dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. Por jo për t'u bërë palë. Në këtë kuptim, z. Basha është mirë të kuptojë se ka një rol që i jep të drejtën të kërkojë llogari dhe të denoncojë, por i ngarkon edhe detyrimin të japë llogari.
Ne japim llogari para lexuesit dhe publikut për atë që bëjmë. Por kurrsesi para Lulzim Bashës, Edi Ramës apo Ilir Metës, të cilët, e shumta mund të na mbyllin derën e partisë së tyre, por asgjë më shumë.
PS: Z. Basha pyetjet janë ende të vlefshme, si për fiskalizimin, ashtu edhe për LSI-në dhe karburantin në Vlorë.
/ TvT /



