Bletaria sektori “i ëmbël” ekonomik, por pa vëmendjen e merituar (VIDEO)

Bletaria sektori “i ëmbël” ekonomik, por pa vëmendjen e merituar (VIDEO)

Sektorët me kontribut të rëndësishëm në rritjen ekonomike të vendit janë disa, mirëpo jo në të gjitha rastet marrin vëmendjen e duhur nga institucionet përkatëse. Një prej tyre është edhe bletaria. Aktualisht, pranë pranë Ministrisë së Bujqësisë janë të regjistruara  vetëm 17 mijë e 500 ferma bletarie, me rreth 287 mijë koshere, pa llogaritur të paregjistruarit. Referuar këtyre shifrave, sipas Festim Shytaj, specialist pranë Ministrisë së Bujqësisë, në vit mund të prodhohet 3 mijë tonë mjaltë.

Festim Shytaj: Në Shqipëri prodhohen mbi 3 mijë ton mjaltë në vit. Rendimenti mesatar që merret në vendin tonë është rreth 12-13 kilogramë për zgjua. Mesatarisht, supozohet që të prodhohet njëzet e pesë kilogramë mjaltë për koshere.

Një shifër e tillë tregon se bletaria tashmë është një biznes i mirëfilltë dhe se kontributi që ka në ekonomi është relativisht i lartë. Mesatarisht një kg mjaltë kushton nga 1500 lekë deri në 2500 lekë të reja, dhe po ta shumëzojmë me 3 mijë tonë mjaltë, shuma arrin në 4.5 miliardë lekë të reja në vit, që qarkullojnë vetëm nga rritja e bletëve. Mund të themi se po zhvillohet një biznes, por pa një treg të mirëfilltë.

Festim Shytaj: Si biznes në kuptimin e përpunimit dhe si të thuash të standardizimit të një produkti me një etiketë të posaçme, me një emërtesë të posaçme. Aka shumë vend për të përmirësuar.

Po ashtu edhe bletërritësi Sajmir Tota, pohon se nuk ka treg të mirëfilltë dhe të formalizuar, por e shet mjaltin përmes njohjeve të tij.

TemA TV: Si e siguroni tregun për të shitur mjaltin?

Sajmir Tota: Me njoftësi, me shoqni, me miq.

Mirëpo të jesh një bletërritës është një sfidë, për shkak të kostove tepër të larta. Bletërritësi Tota, shpjegon se rritja e bletës kërkon një kujdes të veçantë dhe specifik, dhe se është akoma më e vështirë kur nuk merr mbështetjen e duhur nga shteti.

Sajmir Tota:  Unë kam nja 15 vjet që merrem me bletën.

TemA TV: Si lindi dëshira për t’u marrë me bletën?

Sajmir Tota: Ishte babi që u merrte me bletën edhe e trashëgova unë punën e bletës. Vështirë është, se ajo është insekt, duhet t’i shërbesh gjatë gjithë kohës.

TemA TV: Shteti, a ju ka mbështetur në gjithë punën që bëni ju?

Sajmir Tota: Jo fare s’na ka mbështetë.

TemA TV: Keni bërë ndonjë kërkesë?

Sajmir Tota: Po kërkesa bëjmë, por s'e ka në mbikëqyrje kush bletarinë.

Një proces më kompleks, por edhe fitimprurës është edhe vjelja e qumështit të bletës, i cili ka vlera të rralla shëndetësore dhe kuruese.

Tota sqaron se ky proces ka një afat të caktuar kohor për tu zhvilluar, e dëmton bletën por ka edhe fitim.

Sajmi Tota:  Periudha për me vjelë qumështin e bletës nis nga muaji maj e deri nga data 10 korrik. E konsumon mizën, dëmton goxha shumë. Ne e shesim 5 mijë lekë gramin.

Aktualisht shteti subvencionon 1000 lekë per koshere bletërritësin, i cili ka më shumë se 50 zgjoje. Shqipëria konsiderohet si vendi i përshtatshëm për të ushtruar një veprimtari të tillë, pasi favorizohet nga kushtet klimatike si dhe flora e pasur. 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy