
Rusia njofton se është duke u përballur me bombardime të shumta me drone nga Ukraina, ndërsa një shpërthim ka ndodhur afër një centralit bërthamor të Kurçatovit, por, fatmirësisht, pa dëmtime. Së fundmi, ka pasur pengesa të vazhdueshme në nisje dhe ulje të avionëve në aeroportet e Moskës për shkak të rrezikut nga dronët.
Ukraina, ndërkohë, thotë se ushtria e saj po e vazhdon kundërofensivën në lindje dhe jug të vendit kundër forcave pushtuese ruse. Presidenti Volodimir Zelenski tha se Ukraina e ka zhvilluar një armë e cila është në gjendje ta godasë 700 kilometra larg, por nuk dha hollësi të tjera.
Ndërkohë, javën e ardhshme, më 4 shtator, pritet të takohet presidenti rus Vladimir Putin me homologun turk Rexhep Taip Erdoan. Lufta në Ukrainë dhe mundësitë për një marrëveshje të re për eksportin e grurit ukrainas nëpërmjet Detit të Zi janë temat qëndrore.
Moska ndërkaq ka pranuar publikisht se synon të zhvillojë lidhje me Korenë e Veriut, ndërsa nuk konfirmoi një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë se presidenti rus Vladimir Putin kishte shkëmbyer letra me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un. Sipas amerikanëve, rusët kanë mungesa në armatim dhe po i marrin ato nga Irani dhe Korea e veriut.



