Analisti Mustafa Nano nuk pret hapje të Partisë Socialiste nga Kongresi i ardhshëm. Në studion e TvT, ai tha se PS mund të rifreskohet, por kjo nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të konsolidojë akoma më shumë figurën e Ramës në krye të saj.
“Mund të prodhojë rifreskim, por jo domosdoshmërisht hapje. Enver Hoxha e rifreskoi tërësisht Byronë Politike, por kjo nuk prodhoi shpresë. Paralelja çalon sepse flasim për epoka të ndryshme. Por unë jam i sigurt se sa më shumë të rifreskohet, aq më shumë do të mbyllet PS-ja dhe do të konsolidohet roli i kryeministrit Rama. Ky Kongres nuk do të ketë rol tjetër veç konsolidimit të Ramës. Nuk e shoh me shpresë anëtarësimin e të rinjve, sepse nuk kanë asnjë lloj përvoje politike. Mua më bezdis më shumë kur këta bëhen ministra. Ka raste kur anonimë janë bërë ministra”, tha Nano.
I pyetur për raportin e Kongresit të Autoriteteve Lokale mbi zgjedhje e 30 qershorit dhe cilësimin e tyre si “pak pluraliste”, Nano tha se pavarësisht se nuk ishin zgjedhje demokratike, votimi i 30 qershorit nuk mund të konsiderohet ilegjitim.
“Votimet nuk kanë qenë demokratike dhe për këtë nuk ka asnjë diskutim. Zgjedhjet u bojkotuan nga opozita. Gjysma e popullsisë nuk votoi. Kjo nuk do të thotë se nuk ishin legjitime. Ato ishin të tilla”, tha Nano.
Gazetari Nano e sheh më shumë si goditje ndaj individit Ilir Meta sesa institucionit të Presidencës draftin e kaluar pak ditë më parë në Komisionin e Ligjeve, sipas të cilit, betimi te Presidenti i anëtarëve të Kushtetueses të bëhet me shkrim.
“Është manovër për të goditur Ilir Metën. By default edhe Presidenca dëmtohet, por synimi është Ilir Meta. Ky është ligj ad hominem, pra kundër individit. Çfarë do bëjmë kur të vijë dikush tjetër në Presidencë? Më duket lëvizje përveçse e rrezikshme, edhe qesharake”, tha ai.
I pyetur në lidhje me fushatën e re të komunikimit që ka nisur lideri i opozitës, Lulzim Basha me qytetarët, Nano tha se për të fituar besimin e qytetarëve si lider, para së gjithash, kreu i PD-së duhet të japë prova se ka mundur “atin” e tij në atë parti.
“Bashës do t’i duhet punë të përcjellë idenë se është lideri i aftë i opozitës tek i cili shqiptarët nuk kanë besim. Ai nuk ka demonstruar se ka personalitet si lider opozite. Ka bërë një kthesë 180 gradë dhe duhet të na tregojë që e ka partinë në dorë, që është ai lideri i PD dhe nuk është askush tjetër. Unë mendoj se si provë të parë të afirmimit të lidershipit në PD duhet të mundë atin e tij, pra Berishën”, tha ai.



