Eksperti i Ekonomisë Pano Soko foli në “Mcn Economy” mbi bursën e energjisë Shqipëri-Kosovë, Alpex, që pritet të nisë ndërveprimin më 31 mars.
Soko tha se bursa lehtëson transaksionimin duke e bërë më transparent dhe cilësor, si dhe shmang korrupsionin dhe monopolizimin.
Megjithatë Soko u shpreh skeptik nëse bursa do të vihet në funksion brenda këtij viti pasi ajo kundërshtohet nga grosistët e energjisë elektrike, që janë të interesuar për tendera.
Është e vështirë t’u dalësh përballë grosistëve të energjisë elektrike! Sepse çfarë do ndodhi, s’do ketë më tendera. Ata që bëjnë tendera sot rrezikohen drejtpërdrejt në momentin që vendoset bursa në funksionim. Tenderat zënë një vëllim shumë të madh në transaksionimin e energjisë elektrike në Shqipëri, sidomos me çmimet e rritura të dy viteve të fundit. Besoj se presioni që vjen nga kompanitë, grosistët që blejnë kapacitete, që janë të interesuar që Shqipëria të zhvillojë tendera të përhershëm, duke përfituar para nëpërmjet këtyre tendera, para të paligjshme. Janë ata që e kanë mbajtur 7 vjet dhe dyshoj se do ta lëshojnë në një të ardhme të afërt. Edhe për këtë vit jam komplet skeptik. Nuk sheh mjetet e nevojshme në dorën e njerëzve që janë të interesuar për transparencë në energjinë elektrike. E shoh luftë mes Davidid de Goliatit. Një herë ka ndodhur që Davidi ta mund Goliatin, por zakonisht Goliati e mund Davidin.
Tregu do të jetë i hapur mes ofertuesve dhe kërkuesve. Transparenca është maksimale sepse transaksionet janë publike. Këtu nuk bëhen lëvizje poshtë tavolinës. Rritja e kërkesës, hapja e tregut, krijimi i mundësisë për ta shitur në tregje të tjera, do të rrisë nevojën për rritjen e prodhimit të energjisë elektrike. Bursa do lehtësojë transaksionimin, do ta bëjë më transparent dhe cilësor. Do ketë më shumë para të kursyera, do shmangen krijimi i monopoleve, do kemi kapacitete transmetuese. Do zhbëjë korrupsionin dhe monopolizimin. E rëndësishme është transparenca”.
Soko tha se nuk ka një vullnet politik për bursën e energjisë, duke theksuar se nëse do të luftohej korrupsioni do luftohej edhe në administratë apo aspekte të tjera të jetës publike.
Ekzistojnë bursat në rajon, tendenca jonë është për të shkuar me hapin e të tjerëve. Ka ardhur si kërkesë imediate tashmë që çmimet e energjisë pësojnë ulje-ngritje dhe e gjitha kjo situatë e paqartë krijon hapësira të mëdha për korrupsion. Korrupsioni është faktori kryesor pse ka një presion për të krijuar bursën e energjisë. E dyta është edhe fakti për të ndaluar demarshin e disa kompanive që vit për vit blejnë të gjitha kapacitetet e transmetimit dhe që rrisin kostot në mënyrë të padrejtë, me qëllim përfitimin e tyre. Ne duhet të ecim me hapin e kohës. Unë nuk shoh vullnet politik në këtë moment. Duke qenë se korrupsioni po pëson rritje kudo, nuk shoh përse në luftën e energjisë elektrike do shkohet kundër kësaj rryme. Janë thjesht manovra politike, nuk shoh vullnet për ta luftuar korrupsionin. Nëse ke një qeveri që lufton korrupsionin e lufton në çdo aspekt të jetës publike.



