
Një shqiptar ka ndërruar jetë pas ndjekjes nga policia në aeroportin e Malpensa-s, në Itali. Siç shkruajnë mediat italiane, Aldo Laçi, 44 vjeç, ndodhej me pushime në vendin fqinj dhe po priste të shoqen në terminalin 1.
Dyshohet se ai ka qenë nën efektin e kokainës në momentin që policia ka tentuar ta ndalojë. Videot e kamerave të aeroportit e tregojnë atë duke vrapuar mes udhëtarëve, ndërsa pas tij janë pesë policë, të cilët më pas arrijnë ta bllokojnë. Por në atë moment, ai goditet nga një infarkt dhe vdes.
Familjarët e Laçit, përmes avokatit kanë ngritur akuzë ndaj policisë, e cila sipas tyre ka shkaktuar vdekjen e shqiptarit.
Sipas avokatit, Laçi është goditur në kokë dhe në qafë, e më pas edhe në trup, para se të goditej nga arresti kardiak.
Ndërkohë, prokuroria kërkon mbylljen e çështjes, pasi viktima “nuk ka shenja dhune”
Sipas organit të akuzës, “analizat toksikologjike kanë treguar se shkak për vdekjen mund të jetë bërë një helmim akut nga kokaina”.



