Eksperti i çështjeve ndërkombëtare Ilir Kulla, sulmin ndaj Kryeministrit Albin Kurti në Drenicë, në zonën e Skënderaj, e sheh si nxehje të fushatës.
Duke folur në emisionin “Zonë e Lirë” të Arian Çanit në MCN TV, Kulla deklaroi se ditët e fundit është agravuar aq shumë fushata sa palët nuk po e mbajnë më veten.
Vajti atje dhe filloi ta godasin me gurë, u shtynë, ndërhyri policia. Ishin mbështetësit e PDK, dhe thërrisnin Thaçi, aty ka ndodhur lufta e Adem Jasharit.
Gjuha e fushatës është ashpërsuar shumë. Ata kanë një komision të posaçëm që merret me fyerjet dhe ofendimet.
Asnjëherë në fushatën e Kosovës nuk janë gjobitur individët dhe partitë më shumë se tani. Ka arritur kulmin.
Ministrja e Jashtme që i thotë Ramush Haradinaj, je gjeneral i vetëshpallur. Skënderaj është bazë e fortë e PDK, ka votuar gjithmonë PDK.
E vetmja herë që nuk u votua PDK, ishte kur kandidoi nipi i Adem Jasharit si i pavarur.
Ata janë përplasur në një bastion shumë të rëndësishëm dhe kjo tregon stresin e madh që po pason.
Mendoj se palët e kanë kuptuar se nëse tre partitë kryesore të opozitës, LDK, PDK dhe AAK, do ishin në një listë të përbashkët në një koalicion parazgjedhor, Kurti kishte zero shans për fitore.
Parlamenti i Kosovës është 120 deputetë, 20 i kanë minoritetet.
Kurti është parti e parë pa diskutim, por a do marrë 50+1, kjo mbetet për tu parë.
Gjithçka do të shihet javën e fundit të fushatës nëse Kurti do i shkelë syrin ndonjërit, që të bashkëpunojnë pas fushatës nëse nuk merr 50+1.
Janë tre alternativa: Kurti del parti e parë dhe bën qeverinë i vetëm, ose me një nga minoritetet.
Kurti del parti e parë, nuk bën numrin dhe detyrohet të marrë një nga partitë e tjera ose PDK, ose AAK, i jep Presidentin dhe gjysmën e qeverisë.
Dhe alternativa e tretë Kurti merr shumicën, nuk bën dot qeverinë dhe gjithë këta të tjerët bëhen bashkë me një koalicion me bazë shumë të gjerë.
Problemi që i del Kurtit është me administratën e re amerikane.
Tensionet kanë ardhur duke u rritur, shpresojmë të mos shkohet në tensione shumë më të mëdha.
Mendoj se Kryeministri kësaj here do jetë shumë i vështirë. Por Kurti ka një kartë shumë të fortë, rimarrja e Veriut në Kosovë.
Fakti që Kurti sulmohet në një bastion të UÇK-së dhe PDK-së, tregon që tensionet janë shumë të mëdha.
Por fakt është që Vetëvendosje del parti e parë.



