
Veton Elshani, zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Kosovës tha përmes një lidhje telefonike me studion e MCN Live se situata në Veri tashmë paraqitet e qetë dhe zona është e sigurt.
Duke vijuar më tej Elshani tha se operacionet në Veri vijojnë pa u ndalur dhe se policia po mbledh prova dhe dëshmi në mënyrë që të çohen në prokurori.
Që nga data 24 shtator kur ndodhi rasti e deri më sot ne kemi vijuar me kontrolle, krehje të terrenit, kontrolle të terrenit malor. Po largojmë dhe 2 kamionë që ishin vendosur në barrikadë dhe jemi duke liruar rrugët. Ekspertët tanë po mbledhin prova që i gjejmë në vende të ndryshme.
Kemi numër të mjaftueshëm të policëve në Veri. Situata është e qetë, por në rast se kemi situatë të ngjashme dhe të tjera jemi të gatshëm të ballafaqohemi me to.
Veriu i Kosovës është i sigurt, i qetë, policia vijon punën, hetimet nuk kanë përfunduar janë në vijim e sipër. Detyra e policisë është të mbledhim prova dhe t'i çojmë para prokurorit që situata të jetë e qartë.
Për ne është e rëndësishme të kryejmë detyrat tona në Kosovë.
Kemi bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in po kemi policë të mjaftueshëm në të gjithë veriun e Kosovës.
Kjo situatë në Banjskë na e ka marrë një koleg, por kjo ka qenë ditë shqetësuese dhe për njerëzit, po e mira është që nuk ka pasur dëme kolaterale tek ta. Me qytetarët e thjeshtë nuk kemi asnjë problem.
Sipas Elshanit situata për momentin nuk paraqet rrezik, dhe sipas autoriteteve për momentin nuk do të ketë një sulm të ngjashëm me atë të 24 shtatorit.
Kemi kryer shumë operacione, nuk mund të them për numër se jemi gjithë kohë këtu. Kemi patrullime të shpeshta jemi me numër të mjaftueshëm këtu.
Në këtë moment nuk ka rrezik, por për ne nuk është çudi nëse ndonjë ndodh një ngjarje e ngjashme. Nuk mendoj se do të ketë një sulm të tillë, por edhe nëse ndodh nuk është befasi për ne.



