
Përtej anulimit të përkohshëm të taksës së karburantit dhe rritjes së pagës minimale, një tjetër kërkesë e “jelekëve të verdhë” po shqyrtohet nga presidenti Macron. Referendumi për iniciativën qytetare (RIC) është tema e diskutimit për të cilën Macron sot ka thirrur një tryezë më ministrat dhe aktorët ekonomikë të vendit. Për të diskutuar kërkesën e protestuesve që prej pesë javësh e kanë mbajtur presidentin francez “mbi gjemba”, ai është detyruar të anulojë një event gjatë të cilit do të inaugurohej presidenca franceze e G7-s.
Idejae referendumit të iniciativës qytetare është të bëjë të mundur që një numër i caktuar njerëzish të ngrenë një shqetësim, i cili pasi formalizohet, i propozohet zyrtarisht qeverisë për t’iu nënshtruar një votimi kombëtar. Përgjatë pesë javëve të fundit, kjo kërkesë e qytetarëve francezë ka ardhur duke u forcuar, për t’u bërë kërkesa kryesore e lëvizjes. Kështu, të hënën, kryeministri Édouard Philippe i hapi dritën jeshile kësaj kërkese në një intervistë me “Echos”. "Është një instrument i mirë në demokraci", ka thënë ai.
Juritë qytetare
Tani për tani, RIC është ende në fazën e shqyrtimit, siç është shprehur kryeministri Édouard Philippe. "Do të bëhet një debat në Elysee, por me qartësinë e nevojshme dhe me kujdesin që të mos dëmtojmë demokracinë përfaqësuese që është themeli i demokracisë sonë".
Pra, nuk ka dyshim që do të krijohet një mjet që dobëson legjitimitetin e zyrtarëve të zgjedhur, duke filluar me atë të Presidentit të Republikës, të zgjedhur me votim të përgjithshëm në bazë të programit të tij të fushatës. Edhe pse kjo pikë nuk ishte në lëshimet që Macron bëri 10 ditë më parë, me kalimin e kohës u formësuan dy propozime për të zgjeruar pjesëmarrjen e qytetarëve në debatin publik.
Propozimi i parë ka të bëjë me "juritë e qytetarëve", që vlerësojnë punën parlamentare. Ndërsa i dyti nxit komunat të zhvillojnë buxhetet pjesëmarrëse. Për momentin, edhe pse qeveria ka pranuar të diskutojë për referendumin e iniciativës qytetare, RIC, ajo po i hedh hapat me kujdes.
Siç shpjegon Stanislas GUERINI, kreu i ri i partisë së Macronit, La Repubblique En Marche, mbeten jashtë diskutimit tema si ajo e dënimit me vdekje, “pavarësisht çdo referendumi të iniciativës së qytetarëve". Pikërisht debati i madh kombëtar do të jetë ai që do të përcaktojë konturet e këtij mekanizmi të ri të demokracisë pjesëmarrëse. Nga tryezat e diskutimit do të dalin edhe ato që cilësohen si kushtet për inicimin e një referendumi të iniciativës qytetare.
Një sistem i ngjashëm me atë që propozojnë jelekët e verdhë të Francës është i zbatueshëm veçanërisht në Zvicër, ku votuesve u kërkohet rregullisht të votojnë për politikat që planifikon të implementojë qeveria. Ndërsa në Itali, Kushtetuta parashikon që të mbahet referendum për çdo nismë që merr më shumë se 500 000 firma ose mbështetet nga të paktën pesë këshilla rajonale.



