
Shkarkohet nga detyra Evjeni Sinojmeri, gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Vendimi është dhënë këtë premte nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili konstatoi se Sinojmeri nuk justifikonte pasurinë.
Trupa e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Brunilda Bekteshin, njoftoi se Sinojmerit i ishte kërkuar disa herë të paraqitej apo paraqiste një mbrojtës, por ajo nuk ishte përgjigjur dhe as kishte marrë në dorëzim materialet e dosjes.
Evjeni Sinojmeri ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, ku ka mbajtur pozicionin e anëtares se Gjykatës së Lartë nga viti 2001 deri në vitin 2010. Në vitet 2011-2013, zonja Sinojmeri ka punuar si këshilltare e ministrit të Drejtësisë dhe prej vitit 2013 e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Tiranës.
Në shkurt të vitit 2018, Sinojmeri u shkëput nga ushtrimi i funksionit pasi mori një leje 2-vjeçare nga KLD për shkëputje të përkohshme nga detyra. Në mars 2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor rrëzoi një kërkesë të subjektit për zgjatjen e lejes së papaguar.



