
Sipas parashikimeve nga IGJEUM, kjo javë do të karakterizohet nga mot kryesisht i qëndrueshëm dhe me temperatura të larta për periudhën, përveç ditës së premte, kur priten reshje shiu në të gjithë vendin, bën të ditur për “MCN Live”, meteorologia Anira Gjoni.
Kjo javë do të jetë ndjeshëm më e ngrohtë se java që lamë pas, me rritje të temperaturave si në minimum ashtu edhe në maksimum.
Pritet që reshjet të rikthehen në mënyrë të lehtë të enjten, por kryesisht ditën e premte do të kemi reshje që do të prekin të gjithë territorin.
Nga e hëna në të e enjte, moti do të jetë me alternime kthjellimesh dhe vranësirash, me temperatura relativisht të larta. Të enjten mund të ketë reshje të dobëta në disa zona. Të premten reshjet në të gjithë vendin, me intensitet të moderuar kurse e shtuna dhe e diela do të jetë me kthjellime dhe mot me diell.
Temperaturat sipas zonave: Bregdeti, minimalet: 13°C- maksimumet: 21°C; zonat e ulëta: Minimalet 10°C- maksimumet: 23°C dhe zonat malore: minimalet: 5°C dhe maksimumet: 16°C.
Të enjten pritet një rritje e lehtë e temperaturave minimale, deri në 2 gradë, përpara rënies së mundshme të përkohshme që do sjellë e premtja me reshje.



