
Të paktën dy njerëz kanë humbur jetën dhe 31 të tjerë janë plagosur nga një shpërthim që ndodhi të martën në Chempark, një nga parqet më të mëdha industrial në botë, në qytetin Leverkusen të Gjermanisë.
Të dhënat u konfirmuan sot nga autoritetet policore vendase, ndërsa pesë persona rezultojnë ende të zhdukur, por shpresat për gjetjen e të mbijetuarve janë të vogla.
Shpërthimi ndodhi në një nga rezervuarët e impiantit të djegies së mbetjeve të rrezikshme, ne zonën ku grumbullohen dhe asgjësohen mbetjet e prodhimit të kompanive kimike që gjenden në këtë park industrial.
Menjëherë u aktivizua alarmi i “rrezikut ekstrem” dhe bëri që zyrtarët t’iu bëjnë thirrje banorëve të zonës të strehohen brenda dhe t’i mbyllin dritaret e tyre për të shmangur kontaktin me tymin e madh.
Hetimet tregojnë se për shpërthimin dhe zjarret janë çliruar në ajër substanca helmuese.
Chempark ka një sipërfaqe prej rreth njëmbëdhjetë kilometrash katrorë, me mbi 70 kompani, ku punojnë rreth 50,000 persona.



