Shqipëria ndodhet nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme, të cilat po diktojnë një mot të kthjellët dhe temperatura të larta në të gjithë territorin.
Kjo situatë pritet të vijojë edhe gjatë ditës së sotme, me vlera termike që do të arrijnë deri në 30°C në qarqet e Elbasanit dhe Beratit.
Sipas parashikimeve, pjesa e parë e ditës do të karakterizohet nga mot i qëndrueshëm dhe i kthjellët në të gjithë vendin.
Por pasditja do të sjellë një ndryshim të lehtë: vranësira të përkohshme do të shfaqen në disa zona, veçanërisht në verilindje, ku nuk përjashtohet mundësia për rrebeshe lokale shiu. Megjithatë, ky përkeqësim pritet të jetë i përkohshëm, pasi në orët e vona të mbrëmjes moti do të përmirësohet sërish në të gjithë territorin shqiptar.
Temperaturat minimale pritet të zbresin deri në 8°C në qytetin e Pukës, ndërsa vlerat maksimale do të jenë më të ndjeshme në ultësirën perëndimore, ku termometri do të shënojë deri në 30°C.



