Rritja e rasteve të kancerit tek personat nën moshën 50-vjeçare lidhet me plakjen e përshpejtuar biologjike të organizmit. Ky është përfundimi i një studimi të publikuar në revistën shkencore “Nature Medicine”, i cili sugjeron se trupi i disa të rinjve po plaket më shpejt në krahasim me moshën e tyre kronologjike, duke rritur rrezikun për zhvillimin e disa llojeve të kancerit në moshë të re.
Sipas studiuesve, numri i rasteve të kancerit tek personat nën 50 vjeç është rritur me 24% në nivel global gjatë periudhës 1990–2019, dhe tendenca vazhdon të jetë në rritje. Për të kuptuar arsyet e këtij fenomeni, ekipi analizoi të dhënat shëndetësore të mbi 154 mijë personave nga Britania e Madhe dhe rreth 10 mijë të tjerëve nga Shtetet e Bashkuara. Rezultatet e publikuara, tregojnë se plakja e përshpejtuar biologjike lidhet veçanërisht me një rrezik më të lartë për kancerin e mushkërive, zorrës së trashë dhe mitrës në moshë të re.
Shkencëtarët theksojnë se mosha biologjike nuk është e njëjtë me moshën kalendarike. Ajo tregon gjendjen reale të organizmit dhe ndikohet nga mënyra e jetesës, ushqyerja, aktiviteti fizik, ekspozimi ndaj ndotjes dhe gjendja e përgjithshme shëndetësore. Për ta matur atë, studiuesit përdorën një algoritëm të quajtur PhenoAge, i çili kombinon nëntë tregues të analizave të zakonshme të gjakut, përfshirë parametrat që lidhen me inflamacionin, nivelin e sheqerit dhe funksionimin e sistemit imunitar.
Sipas autores kryesore të studimit, profesoreshës Yin Çao nga Universiteti i Uashingtonit, plakja biologjike pasqyron konsumimin gradual të organizmit në nivel qelizor dhe molekular. Ajo shoqërohet me inflamacion kronik, dobësim të sistemit imunitar dhe grumbullim të dëmtimeve në qeliza – proçese që mund të përshpejtohen nga një stil jetese jo i shëndetshëm, ose nga ekspozimi afatgjatë ndaj ndotësve të mjedisit.
Studiuesit theksojnë se ende nuk ka një shpjegim përfundimtar për rritjen e kancerit tek të rinjtë, megjithatë studimi forcon hipotezën se sëmundja nuk lidhet vetëm me mutacionet brenda qelizave, por edhe me ndryshimet që ndodhin në të gjithë organizmin gjatë procesit të plakjes. Sipas tyre, këto gjetje mund të ndihmojnë në zhvillimin e metodave të reja për identifikimin e personave më të rrezikuar dhe në hartimin e strategjive më efektive për parandalimin e kancerit.



