Një operacion i Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në aksin “Mamurras–Laç” ka përfunduar me arrestimin e dy personave, ndërsa një 23-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar mbeti i plagosur gjatë ndërhyrjes së Policisë.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ranë Leonard Dema, 23 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Trentos në Itali me 7 vite burg për tentativë vrasjeje, si dhe shtetasi A.F., 28 vjeç, që e shoqëronte.
Policia bën me dije se gjatë operacionit, i kërkuari ka tentuar të përplasë me automjet efektivët e Forcës Operacionale, duke u rrezikuar jetën, ndërsa personi që ndodhej me të dyshohet se u ka drejtuar armën e zjarrit shërbimeve të Policisë.
Në kushtet e vetëmbrojtjes, efektivët kanë ndërhyrë për neutralizimin e tyre, ku mbeti i plagosur Leonard Dema, i cili u transportua në Spitalin e Traumës dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Gjatë operacionit u sekuestrua edhe arma e zjarrit pistoletë që posedonte 28-vjeçari. Hetimet për ngjarjen vijojnë në bashkëpunim me AMP-në dhe nën drejtimin e Prokurorisë.



