Këtë të martë, përfaqësues të pallatit numër 32, në lagjen numër 5 të qytetit i janë drejtuar Bashkisë Durrës, pasi i është bërë me dije se godina, që u shemb si pasojë e dëmeve të pësuara nga tërmeti nuk do të rindërtohet në të njëjtin truall. 40 familjet që banonin më parë në këtë pallat do të transferohen në periferi të Durrësit, në zonën e Spitallës.
Pas takimit të zhvilluar me përfaqësues të autoritetit vendor, banorët u shprehën për mediat se nuk kanë një njoftim zyrtar apo kontratë me bashkinë mbi këtë vendim, duke nënvizuar se nuk janë dakord për t'u shpërngulur në periferi, por kërkojnë që pallati i tyre të rindërtohet në të njëjtin truall.
Në të njëjtën kohë ata kanë thënë se gjatë gjithë kësaj kohe kanë pasur probleme me bonusin e qirasë, i cili nuk i është dhënë në kohë, ndërsa kanë ngritur pikëpyetje se çfarë do të bëhet me truallin ku më parë ngrihej pallati i tyre, i cili u shemb, pas dëmeve të pësuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Kur po mbushen rreth tre vite nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Durrës, banorët e pallateve të dëmtuar vijojnë të përballen me problematika.



