Dy persona kanë humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur si pasojë e një aksidenti të ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Lezhë-Shkodër. Ngjarja e rëndë është shënuar në vendin e njohur si "Kryqëzimi i Kallmetit". Një automjet tip “Fiat” është përplasur nga mbas me një mjet bujqësor, zetor, duke çuar bilancin e rëndë, çka çoi në humbjen e jetës së drejtuesit të mjetit dhe pasagjerit që ndodhej në vendin e parë. Pas goditjes, drejtuesi i zetorit, Ardian Tomaj nga fshati Gocaj, ka humbur kontrollin duke e nxjerrë mjetin nga rruga e për pasojë ai ka marrë disa lëndime dhe ndodhet jashtë rreziku për jetën në spitalin e Lezhës. Aksidenti është shënuar ndaj të gdhiri, rreth orës 05.00 të mëngjesit, ndërkohë që rrethanat e ngjarjes janë në hetim. Njoftimi i policisë Rreth orës 05:00, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Kallmetit”, shtetasi P. M. banues në Tale, Lezhë, duke drejtuar automjetin tip “Fiat”, ka goditur nga pas karrelin e një mjeti bujqësor zetor i drejtuar nga shtetasi Ardian Tomaj banues në Gocaj, Lezhë. Për pasojë kanë ndërruar jetë drejtuesi i mjetit “Fiat” shtetasi Prend Marku 56 vjeç si dhe pasagjeri po në këtë mjet shtetasi Martin Gjoka 54 vjeç. Grupi hetimor vazhdon veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.



