
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, akuzon qeverinë se e ka degraduar arsimin. Gjatë një takimi me të rinjtë e qarkut Elbasan, Basha tha se me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet, do të ndiqet modeli gjerman në arsim dhe shteti do të ndjekë politika që frenojnë largimin e studentëve jashtë vendit.
“Në të gjitha degët pa përjashtim ne do të zbatojmë modelin gjerman. Studentët do të marrin një vit shtazh të paguar nga qeverisja jonë. Nuk duhet më të ndodhë që rinia mbaron universitetin dhe të qëndrojë rrugëve apo në stole nëpër lulishte. Është skandal që sot në Elbasan janë mbyllur 12 programe. Janë 12 degë që janë mbyllur 6 rrezikojnë të mbyllen, për shkak se qeveria nuk mbështet studentët, por oligarkët dhe merret me koncesione. Paratë janë te koncesionet e jo te studentët. Rinia nuk duhet të largohet aq shumë, sepse kjo është një plagë që duhet të marrë fund”, tha Basha.



