Gazetari Sokol Bregu foli në “Stay Tuned” mbi pasionin e tij për letërsinë dhe leximet, ku veçon poetin spanjoll Federico Garcia Lorca. Bregu zbulon se kur ishte adoleshent ka shkruajtur poezi dhe ka botuar një libër. Tanimë, ai thotë se ka dëshirë t’i kthejë në novela të shkurtra disa prej historive që ka raportuar si gazetar nga terreni. “Kam qenë i apasionuar jashtëzakonisht pas letërsisë, lexoja shumë. Është një gjë që e kam ndjekur për vite me radhë, por jo kohët e fundit. Lexoja jashtëzakonisht. Klasikët ishin të preferuarit e mi, ishte bota ime. Edhe shkruaja vetë. Kam publikuar një herë të vetme, dhe nuk do publikoj më kuptohet, një libër me poezi. Kur isha 14-15 vjeç. Ajo mosha kur ndjen edhe dashurinë, fillon edhe ke botëkuptimin tënd për jetën, për mënyrën, për lirinë. Sepse mos harrojmë që unë kam bërë fiks 15 vjeç në 92-shin, kur Shqipëria sapo e kishte fituar të drejtën e lirisë së fjalës, pavarësisht se kishte ardhur në fund të 91-shit, por 92-shi ishte ajo që u koncentrua, ku erdhi një demokraci, edhe pse e brishtë. Lorca-n e lexoja shumë, Federico Garcia Lorca, një ndër poetët më të mëdhenj spanjollë dhe Lorca thoshte gjithmonë një fjalë: Poezia është një grupim fjalësh që njeriut s’i pat shkuar kurrë në mendje t’i bashkonte. Poezia-thotë Lorca- është si një dre i plagosur. Kështu ia vura edhe unë titullin librit tim ‘Dre i plagosur’. Lorca shkruante shumë tragjedi me një mënyrë të egër të transmetimit të dramave familjare, shoqërore, të dramave të një kombi”, tha Bregu. “Kam shumë dëshirë që ndonjë pjesë të historive që kam raportuar nga terreni t’i kthej në ndonjë novelë të shkurtër. Me një mënyrë perceptimi më ndryshe, për të bërë diçka fiction, për të dhënë ndonjë mesazh, sepse kur raporton një lajm s’jep dot asnjë mesazh, do japësh vetëm fakte dhe prova”, shtoi ai. Bregu zbuloi se nuk i ka dhënë kurrë makinës në jetë dhe s’ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë.



