
Anëtari i Komisionit Rregullator në KQZ, Dritan Çaka thotë se deri në zgjedhjet e 14 majit ka mjaftueshëm kohë që subjektet politike kanë të drejtën për tu regjistruar.
Në një lidhje me MCN Live, ai shpjegoi me detaje se 70 ditë para zgjedhjeve është afati fundor për regjistrim në zgjedhje dhe se pas këtij afati, partitë kanë afat 10 ditor për tu regjistruar si koalicione zgjedhore.
Çaka shtoi se më tej vazhdon afati prej 10 ditësh, ku 50 ditë para datës së zgjedhjeve mund të regjistrohen kandidatët, por se këto afate fillojnë nga java e parë e marsit.
I pyetur se cila pjesë e Partisë Demokratike do të regjistrohet nga KQZ, ai citoi vendimin e gjykatës.
Ne si KQZ do të regjistrojmë atë subjekt zgjedhor që do të sjellë vërtetimin e Gjykatës së Tiranës, sipas ligjit.
Siç kërkon ligji për regjistrim, një ekstrakt nga zyra e regjistrit pranë Gjykatës Tiranë, ku përcaktohet emri i subjektit politik, kryetari, firma dhe vula, do të jetë ai dokumenti ku do të bazohet regjistrimi i subjektit.
Lidhur me zgjedhjet e 6 marsit, ai deklaroi se u gjet një artificë ligjore e zotit Berisha për të hyrë në zgjedhje me Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Sot nga pikëpamja ligjore, është zoti Alibeaj që përfaqëson PD me firmë dhe me vulë. Pastaj shumicën e ka apo jo zoti Berisha apo Basha, do e tregojë edhe koha.
Nuk ka rëndësi se kush e ka shumicën, por se cili do të jetë vendimi i gjykatës se cili subjekt do dorëzojë kandidaturat.
Zoti Basha, nga vlerësimet e bëra nëpër mediat se zyrtarisht nuk kemi ndonjë informacion, nuk figuron në asnjë pjesë të strukturave si kryetar, por nënkryetari është zoti Alibeaj. Do të shohim pjesën proceduriale.
Sot e kemi të pamundur gjithë ne jashtë PD, por edhe brenda PD, të përcaktojmë se cili do jetë kryetari zyrtar në zgjedhjet e ardhshme.
Situata brenda PD është pak kaotike, nga njëra anë Primaret e zotit Berisha, ndërsa Alibeaj ka mbledhur strukturat dhe brenda fundit të muajit do freskojë një pjesë të tyre.
Ka një përplasje juridike që s’mund të zgjidhet pa parë aktet. Zgjedhjet e 6 marsit treguan më së miri se shumicën e mbështetjes në elektorat e kishte zoti Berisha, duke fituar edhe një nga 6 bashkitë që përfaqësonte.
Ai foli edhe për dy mandatet e deputetëve të lëna së fundmi nga deputetët demokrat Alfred Rushaj dhe Grida Duma.
I kanë dorëzuar kërkesat për lënie mandati pranë Kuvendit, i cili duhet të njoftojë KQZ për kërkesat për lënien e mandateve dhe KQZ do përcaktojë zëvendësuesit.
Në rastin e zotit Rushaj do të jetë zoti Petrit Doda që do e zëvendësojë me numrin më të madh të votave, përtej 15 mandateve në Tiranë.
Për zonjën Duma, duke qenë se ajo është femër, Kodi Zgjedhor ka përcaktuar se zëvendësimi i saj do të jetë me një femër.
Duhet parë renditja në fund të procesit zgjedhor, mos ma merrni për përfundimtar, më duket se në renditje është zonja Oriela Nebiaj.



