Mjeku Qamil Dika komentoi në studion e MCN Informacion gjetjet e raportit të KLSH për sistemin shëndetësor. Dika tha se sistemi shëndetësor në Shqipëri keqmenaxhohet dhe është dëmtuar nga emërimet politike. Ai shtoi se domosdoshmëri është edhe ndryshimi i ligjit, i cili është i vjetëruar.
Është formë e strukturuar abuzimi dhe keqmenaxhim. Kjo vjen për shkak të emërimeve politike që vihen në shërbim të interesave personale. Kjo është në nivel piramidë. Nuk është në nivel rajonal. Vjen nga lart poshtë dhe nga poshtë lart. Personaliteti i drejtuesit është element shumë i rëndësishëm. Institucionet akademike kanë kohë që kualifikojnë profesionistë.
Kemi një sistem shëndetësor që keqmenaxhohet. Por edhe baza ligjore në vetvete nuk është e duhura. Flasim për autonomi spitalore nga njëra anë dhe nga ana tjetër të gjitha blerjet, në vend që t’i centralizojmë, kemi delegimin e procedurave në drejtim të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara. Njerëz që nuk kanë formimin e duhur vihen në drejtimin e këtyre institucioneve.
Shëndetësia dhe arsimi janë dy sektorë që faturën e kanë afatgjatë. Vendimmarrja e sotme rezonon afatgjatë. Një vendimmarrje në një kohë të caktuar para x viteve do të na impaktojë në afat të gjatë.
Ne shohim që vazhdimisht sistemi ynë godet mjekët. Nuk mendoj se e kemi luksin t’i godasim. Duhet të jemi më orientues për zgjidhje të qëndrueshme.



