Konferenca e përvitshme e muxhahedinëve është anuluar. Pas dëbimit të ambasadorit iranian në Tiranë dhe stafit të tij, një vendim i marrë nga qeveria shqiptare pasi hetimet provuan se pas sulmit ndaj AKSHI-t ishte Irani, muxhahedinët iranianë të MEK kanë anuluar samitin e përvitshëm. Vendimi është marrë për të shmangur çdo incident të mundshëm që cenon sigurinë e tyre dhe të vetë qytetarëve shqiptarë. Lajmin e konfirmon për MCN ish-këshilltari për sigurinë kombëtare, John Bolton.
Ata do të kishin konferencën e tyre vjetore, në periferi të Tiranës, por qeveria e Iranit kërcënoi me aktivitete terroriste dhe konferenca u anulua edhe për sigurinë e qytetarëve shqiptarë. Një tjetër shembull sesi sillet Irani karshi kombeve të qytetëruara. Kështu që nuk habitem që aktiviteti vazhdon sepse nuk ndëshkohen. Po vazhduan ashtu, dhe kur shtëpia e Bardhë po i lut të kthehen në marrëveshje, qeveria e Iranit mendon se nuk do të ndëshkohet.
Vetëm pak ditë pas sulmit kibernetik që gjunjëzoi shërbimet qeveritare online, Ambasada Amerikane në Tiranë paralajmëroi për një sulm të mundshëm, duke njoftuar se ishte në dijeni të një kërcënimi të mundshëm që kishte në shënjestër Samitin Botëror të Iranit të Lirë.
Muxhahedinët e MEK, të strehuar prej disa vitesh në Manzë, njoftuan se pavarësisht kërcënimeve, samiti do të mbahej.
Kërcënimet e regjimit fetar nuk janë të reja për ne. Të gjithë janë informuar për kërcënimin e paralajmëruar nga ambasada amerikane. Vitin e kaluar morën pjesë online 50 mijë persona nga 105 vende. Këtë vit kushdo që dëshiron mund të marrë pjesë online dhe konferenca gjithsesi do të mbahet.
Por dëbimi i përfaqësuesve diplomatikë të Iranit në Tiranë duket se ka shënuar një kthesë 180 gradë në planet e muxhahedinëve.



