Monika Kryemadhi ka komentuar procesin gjyqësor ndaj saj dhe Ilir Metës, gjatë intervistës në emisionin Të Paekspozuarit në MCN TV. Kryemadhi ngriti akuza për presion mediatik dhe ndikim të SPAK në proces, ndërsa deklaroi se çështja “Meta-Kryemadhi” po përdoret për konsum publik dhe politik.
Historia e procedurave gjyqësore është diçka tjetër nga ajo me të cilën jemi mësuar ne, ku njerëzve u bëhet gjyqi në TikTok dhe në media. Duke qenë se tre persona të tjerë kanë kërkuar ndarje të gjykimit, trupi gjykues do t’i kalojë ata në gjykim të shkurtuar, ndërsa unë dhe Meta do të paraqitemi sërish në gjykatë. Pas hedhjes së shortit do të vendoset edhe për trupin e ri gjykues të çështjes Meta-Kryemadhi.
Ne nuk jemi të barabartë, pavarësisht se gjykata përpiqet të ruajë një lloj balance. Problemi është se gazetarët qëndruan vetëm gjatë kohës kur prokurori bëri përmbledhjen, ndërsa kur unë apo Meta jepnim argumentet tona, nuk kishte asnjë gazetar në sallë për të dëgjuar çështjen.
Shifra 200 mijë nuk ekziston në dosje. Mesazhi që pretendohet është një mesazh i nxjerrë publikisht, por që nuk është administruar as nga SPAK dhe as nga gjykata. 200 mijë çfarë janë? Fletëpalosje, euro apo dollarë? Nëse do të ishin para, si kanë qarkulluar ato? Janë marrë apo jo? Nuk ka asnjë llogari bankare, qoftë nga Kastriot Ismaili apo dikush tjetër, ku të provohet tërheqja e këtyre 200 mijë eurove apo dollarëve, para apo pas vëzhgimit. Prandaj e gjithë kjo është një aludim që hidhet për të ushqyer opinionin publik.
Ka një lloj presioni nga prokuroria apo SPAK në proces. Po të mos kishte presion mediatik, gazetarët nuk do të largoheshin nga salla. Është kërkuar nga Altin Dumani që procesi të mos transmetohet live, me argumentin se mund të ndikohet dëshmia e dëshmitarëve.
Nga 105 dëshmitarët e thirrur nga SPAK për Metën, asnjë nuk ka dalë kundër tij. Në 220 faqe dosje, 210 janë përgjime me biseda të përditshme, ‘ku je’, ‘çfarë po bën’, ‘do ma blesh këtë’. Muhabete grash. Në pjesën më të madhe flitet për marrëdhëniet e mia me kushërinjtë dhe fëmijët e mi. Pra, është ndërtuar një çështje me idenë: ‘na duhet ta fusim këtë person në burg sepse nuk na duhet në zgjedhje’. Për këtë arsye them se gjyqi është një farsë.
Kur Meta nisi të shpjegonte procesin CEZ-DIA, sepse shqiptarët nuk i dinë të gjitha detajet, ai sqaroi se nga 5 milionë euro të mbledhura nga Kastrioti, 3.5 milionë i ka marrë shteti shqiptar.



