Një numër i madh qytetarësh të Ulqinit zhvilluan sot një protestë kundër asaj që ata e konsiderojnë si “shitjen e Ulqinit”. Ilir Capuni, deputet në Malin e Zi tha se protesta e zhvilluar sot ishte madhështore, ku shumë qytetarë shprehën indinjatën e tyre. Ai tha se koncesioni i merr frymën ekonomisë, turizmit, dhe ndryshon demografinë e Ulqinit, që është kryeqendra e shqiptarëve. Ai paralajmëroi se çështja do të shkojë në Gjykatë Kushtetuese dhe Strasburg.
“Protesta në Ulqin ka qenë madhështore. Pothuajse të gjithë qytetarët janë mbledhur në plazhin e vogël të Ulqinit, për të shprehur indinjatën e tyre. Është një hapësirë që mbulon mbi 20 milionë metra/katror, dhe do t’i jepet me koncesion për 99 vjet një investitori të huaj.
Ulqinakët koncesionin e shohin të dëmshme, si një akt që do t’ia marrë frymën ekonomisë, edhe turizmit, edhe jetës, por edhe kryeqendrës së shqiptarëve në Malin e Zi që është Ulqini.
Është diçka shumë e madhe, dhe nuk bazohet në plan dhe e treta është që komuna është anashkaluar dhe s’është përfillur në këtë proces. Një investim i tillë ku apartamentet do t’i blejnë rusët, serbët, do ta ndryshojnë demografinë e Ulqinit, që është kryeqendra e shqiptarëve në Malin e Zi.
Çdo investim që ndryshon demografinë është i ndaluar me ligjet e Malit të Zi. Ne si deputet do jemi kundër, do ta çojmë në Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatën e Strasburgut”.



