"Kanadaja po dështon me të moshuarit e saj edhe pse autoritetet po përpiqen të përmbajnë shpërthimet fatale të koronavirusit në azilet e të gjithë vendit", tha kryeministri i vendit Justin Trudeau të enjten.
Azilet, banorët e të cilëve janë më të prekshëm ndaj COVID-19, sëmundja e frymëmarrjes e shkaktuar nga koronavirusi, kanë qenë më të prekurat në Kanada. Pothuajse gjysma e vdekjeve totale të vendit kanë qenë në shtëpi pleqsh.
"Ne duhet të përpiqemi më shumë. Sepse po dështojmë me prindërit tanë, gjyshërit tanë, pleqtë tanë - brezin që ndërtoi këtë vend. Ne duhet të kujdesemi siç duhet për ta", u tha Trudeau gazetarëve në konferencën e tij të përditshme.
Ontario dhe Quebec, provincat më të mëdha të vendit, kanë kërkuar ndihmë ushtarake pasi autoritetet po përballen me shpërthime vdekjeprurëse dhe mungesa të mëdha të personelit në shtëpi pleqsh.
Otava i ka aprovuar ato kërkesa, tha Trudeau, por shtoi se kjo ishte një zgjidhje afatshkurtër.
"Në Kanada, ne nuk duhet të kemi ushtarë që kujdesen për të moshuarit. Duke ecur përpara në javët dhe muajt që vijnë, të gjithë do të duhet të bëjmë pyetje të ashpra se si arritëm në këtë gjendje", tha ai.
Provinca të tjera, përfshirë Alberta, Kolumbia Britanike dhe Nova Skocia, gjithashtu kanë raportuar vdekje, dhe kanadezët gjithashtu janë ndaluar të vizitojnë të dashurit e tyre në shtëpi pleqsh në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen.
"Ne nuk mund t'i mbajmë të moshuarit tanë të izoluar përgjithmonë", tha Ministri i Shëndetësisë Patty Hajdu, duke shpjeguar se vetmia gjithashtu është dëm për shëndetin e njerëzve të moshuar.



