Avokati Përparim Çaça në studion e ‘Stay Tuned’ në MCN Tv ka folur për grupin e Rithemelimit për të cilin u shpreh se nuk sheh imazhe të reja, por vijohet ende me Palokat apo Spahot. Ai tha se gjatë fushatës për zgjedhjet e 14 majit deputetët e Rithemelimit ishin pothuajse inekzistentë, ndërsa veçoi vetëm Ervin Salianjin në Kavajë të cilin e konsideroi dhe si një politikan rrace. “Ajo që shoh te rithemelimi është kjo, kur themi parti e rithemeluar jo domosdoshmërish do duhet të marrin vetëm njerëz të rinj dhe të vjetrit të ikin në shtëpi sepse ka shumë të vjetër që janë shumë herë më të rinj se ata që janë më të rinj dhe anasjelltas, por e kam në idenë e qasjes mënyrën se si konceptohet politika. Kemi të rinj të shkolluar shumë mirë që shpesh herë e gjejnë derën mbyllur, por te rithemelimi ne shohim duke vazhduar me Palokat, Spahoit, por do duhen disa njerëz të rinj, imazhe të rinj, na duhet real politika. Ku ishin deputetët e rithemelimit në këtë fushatë? Ishin inekzistentë përveç njërit, Ervin Salianjit, i cili në Kavajë tregoi se është një politikan rrace i terrenit që di në mënyrë absolute të njoh terrenin dhe me një shpejtësi të rrufeshme kapi të gjithë situatën duke siguruar dhe fitoren”. Ndërsa lidhur me ripërtëritjen e zgjedhjeve në Rogozhinë, Caca tha se e sheh të vështirë, porse uron që ta fitojë Hoxha sepse realisht është fituesi real i atyre zgjedhjeve. “Uroj edhe pse do e ketë të vështirë, por jam shpresëplotë sepse Hoxha ka treguar se ka bërë fushatë të bukur dhe interesante. Në thelb Rrogozhina është e majtë, por uroj me shpirt që Hoxha ta fitoj këtë garë”.



