Botuesja Arlinda Dudaj ka ndarë këndvështrimin e saj mbi letërsinë, shijet e lexuesve dhe rëndësinë e leximit në formimin e individit.
E ftuar në “MCN Informacion”, Dudaj foli për marrëdhënien me librin e mirë, për zgjedhjet letrare të lexuesve dhe për nevojën që çdo moshë të ketë librat e saj formues.
Sipas saj, një vepër e mirë letrare nuk është thjesht një histori që përfundon me faqen e fundit, por një përvojë që vazhdon të jetojë te lexuesi.
Natyrisht që më pëlqen letërsia e mirë. Letërsia cilësore, ajo që të lë me një mendim pas, që të futesh, të zhytesh brenda saj. Nuk mjafton që, pasi ke mbaruar librin, ta lësh librin dhe ta harrosh. Nëse nuk e harron, i kthehesh. Dhe i kthehesh jo vetëm për ta lexuar përsëri, medoemos, por edhe me mendje, sepse librat e mirë e kanë këtë magji.
Ajo theksoi se kjo vlen si për klasikët e letërsisë botërore, ashtu edhe për autorët bashkëkohorë që kërkojnë më shumë përqendrim dhe reflektim nga lexuesi.
Kjo vlen duke filluar që nga klasikët, por edhe për letërsinë bashkëkohore, atë letërsi që mua më pëlqen, pak më cerebrale, më e thelluar, që kërkon më shumë kohë dhe vëmendje, që ka psikologji, histori, filozofi.
Megjithatë, Dudaj nënvizoi se eksplorimi i zhanreve të ndryshme është pjesë e kënaqësisë së leximit. Ajo rrëfeu se, krahas letërsisë më të thelluar, ka një preferencë edhe për thrillerat dhe historitë që mbajnë lexuesin të angazhuar.
Por natyrisht më pëlqen që të eksplorosh gjithçka. Mua më pëlqejnë shumë edhe thrillerat, të them të vërtetën. Për shembull, më pëlqen Jo Nesbø, por më pëlqejnë edhe disa shkrimtarë të tjerë të thrillerit, të cilët i trajtoj dhe i lexoj me shumë kënaqësi në momente të caktuara. Më pëlqejnë shumë historitë.
Duke folur për ndryshimin e shijeve të lexuesve, Dudaj tha se një libër i mirë shpesh bëhet një urë drejt një tjetër libri të mirë. Sipas saj, leximi është një rrugëtim ku niveli i kërkesës rritet gradualisht.
Unë sugjeroj që ndoshta një libër i mirë të çon domosdoshmërisht drejt një libri tjetër të mirë. E kam këtë mendim. Është e vërtetë që është e vështirë. Më vijnë shpesh njerëz dhe më thonë: ‘Kam lexuar shumë Danielle Steel, por dua të lexoj diçka tjetër’. Dhe atëherë duhet të kalosh në një tjetër nivel, sepse Danielle Steel është shumë e lehtë. Për mendimin tim, janë histori që janë më shumë të orientuara drejt emocionit të menjëhershëm.
Dudaj theksoi se zgjedhja e librave lidhet edhe me moshën dhe momentin e jetës ku ndodhet lexuesi. Për të, nuk ekziston një listë fikse librash që funksionon njësoj për të gjithë, pasi çdo periudhë ka nevojat e saj.
Kur më pyesin: ‘Çfarë do të lexojmë tani?’, përgjigjja nuk është domosdoshmërisht një libër i caktuar. Ndryshon shija, ashtu siç ndryshon mosha. Pastaj ka libra për çdo moshë. Mendoj se ka edhe një moshë për të lexuar libra të caktuar. Ka disa libra që, në një moment të caktuar të jetës, janë shumë të rëndësishëm për ty.
Në fund, botuesja u ndal veçanërisht te periudha e rinisë, duke e cilësuar moshën 18–25 vjeç si një fazë vendimtare për krijimin e bazës kulturore dhe njerëzore përmes leximit.
Kam edhe këtë mendim: nga mosha tetëmbëdhjetë deri në njëzet e pesë vjeç duhet të lexosh librat që të formojnë, librat që të formojnë si njeri dhe si karakter. Këtu hyjnë natyrisht librat e rritjes, ato që quhen ‘coming of age’. Librat e rritjes, librat që kanë të bëjnë me historinë, klasikët, një pjesë e madhe e letërsisë.
Sipas saj, edhe pse jeta është e gjatë, koha për të lexuar të gjitha librat e rëndësishëm është e kufizuar, ndaj zgjedhjet e hershme letrare kanë një rol të madh në formimin e lexuesit.
Jeta është shumë e gjatë, por koha për të lexuar libra të mirë është shumë e kufizuar. Kështu që, nga 18 deri në 25 vjeç, mund të ndjekësh, të eksplorosh dhe të krijosh bazën tënde si lexues.



