
Komisioni Europian do të propozojë nisjen e negociatave për pranimin e Maqedonisë dhe Shqipërisë në BE. Gjermania do të jetë një nga shtetet që do të mbështesin këtë propozim. Një burim pranë qeverisë gjermane i ka thënë faqes “Politico.eu” se të dy vendet kanë bërë progres në vitet e fundit.
“Të dy vendet kanë bërë përpjekje të mëdha gjatë viteve të fundit për t’u afruar me Bashkimin Europian”, ka thënë burimi.
Megjithatë, po sipas tij, “ka shumë për të bërë nga ana e Shqipërisë dhe Maqedonisë”.
Një nga vendet që pritet të mbështesë Shqipërinë dhe Maqedoninë është Hungaria. Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, tha dje se Brukseli duhet ta përshpejtojë procesin e zgjerimit dhe të përfshirë vende nga Ballkani Perëndimor.
“Ne duam të shohim BE 28, 29, 30. Ballkani Perëndimor është një vend ku mund të shfaqen tensione.
Dy vendet kryesore që e kundërshtojnë propozimin mbeten Holanda dhe Franca.
Presidenti francez është shprehur në prill se nuk e mbështet idenë e zgjerimit të BE-së, pa ndërmarrë reforma brenda bllokut fillimisht. Diplomatët francezë thonë se qëndrimi i tij është ende i njëjti.



