
Biblioteka Kombëtare nuk është përmbytur si rezultat i ndërtimeve në sheshin “Skënderbej” apo rrotull tij, por për shkak të problematikave të shkaktuar nga vetë gjendja e godinës. Rezultatet e hetimit konfirmohen për TemA TV nga drejtori i Institutit të Ndërtimit Agron Hysenlliu, i cili thotë se ndërtesa nuk duhet të shërbejë më si bibliotekë kombëtare.
Ndërtimet në sheshin Skënderbej apo rreth tij nuk kanë shkaktuar përmbytjen e bibliotekës kombëtare më 23 qershor. Në raportin e hartuar për këtë cështje, specialistet e institutit të ndëtimit thonë se shkak I përmbytjes është vetë gjendja e godinës së bibliotekës. drejtor i Institutit të Ndërtimit Agron Hysenlliu konfirmon për televizionin tema se përmbytja e Bibliotekës ka ardhur si pasojë e rritjes së nivelit të ujërave të nëntokës, problematikë e trashëguar prej vitesh. Ai vëren se ndërtesa është e viteve ’60 dhe veç të tjerash, ka pasur plasaritje në dyshemenë e Bibliotekës, të cilat kanë nxjerrë dhe ujin në sipërfaqe. Sipas tij, Biblioteka ka nevojë për restaurim dhe nuk duhet të shërbejë si bibliotekë kombëtare Ai vërën se një nga problematikat kryesore brenda godinës është konservimi i librave dhe kapaciteti i pamjaftueshëm për librat që ruhen në objekt. “Nuk plotëson kushtet teknike, standardet, as për infrastrukturën lëvizëse, as për pjesën e ruajtjes së librave. Ka edhe problematikë të mbingarkesës", shprehet ai.
I pyetur se pse nuk ka ndodhur një përmbytje e ngjashme në Bibliotekë para ndërtimit të sheshit të ri, si dhe për arsyet e përmbytjes së ndërtesës së Bashkisë, Hysenlliu sqaron: “Duke pasur rreshje gjatë gjithë kësaj kohe, tani është piku i nivelit të ujërave nëntokësorë. Sheshi nuk ka ndikuar fare. Bashkia është përmbytur sepse po bëhen punime në pjesën e xhamisë dhe kanë hapur rreth e qark themelet dhe uji ka hyrë nga themelet. Nuk ka të bëjë fare me problemin e sheshit. Përmbytja e Bibliotekës ka ndodhur edhe në vitin 1983", thekson Hysenlliut. Sipas tij nëse Sheshi Skënderbej do të kishte ndikuar do të kishte dhënë përmbytje që në ditën e parë, ndërkohë që sheshi “Skënderbej” ka dy vjet që është ndërtuar.
Edhe koordinatori i projektit të sheshit “Skënderbej”, Gent Agolli, ka vërejtur disa kohë më parë në një intervistë për TemA TV, se sheshi “Skënderbej” nuk ka ndikuar në këto përmbytje, porse, sipas tij, shkak mund të ketë qenë sistemi i vjetër i Rrugës së Durrësit dhe prurjet e mëdha nga reshjet e dendura të shiut.
"Nuk janë bërë punimet që të largojnë ujin nga sheshi. Pra, n.q.s. kemi Rrugën e Durrësit, ajo nuk ka një sistem të ri kanalizimesh. Ka vetëm një kanal të vjetër. Ajo duhet bërë rikonstruksion, d.m.th. që të gjithë këto ujëra të vijnë nga Rruga e Dibrës me një tub 1500-sh dhe përfundojnë me një 700-sh. Po ky është një sistem i vjetër, ku nuk ndërhyhet tani”, tha Agolli
Hysenlliu e hedh poshtë idenë e Agollit, ndërsa i mëshon faktit se përmbytja e Bibliotekës lidhet thjesht e vetëm me gjendjen e vetë ndërtesës.



