
Një 30-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Fierit, pasi akuzohet për shpërndarje droge.
Nga kontrollet intensive të kryera në kuadër të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli”, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, konstatuan dhe goditën një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza.
Për rastin u arrestua në flagrancë, në lagjen “8 shkurti”, shtetasi Eriseld Kajolli, 30 vjeç, banues në Fier.
Gjatë kontrolleve fizike dhe në automjetin e 30-vjeçarit, u gjetën një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në doza, me qëllim shitjen, si dhe një shumë parash të dyshuara të përfituara nga shitja e tyre dhe 5 celularë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.



