
A mund ta imagjinoni një prift me armë në brez? Më shumë se 250 drejtues kishash në Filipine kërkojnë leje për të mbajtur armë zjarri, pas rritjes së numrit të priftërinjve të vrarë kohët e fundit. Megjithatë, për drejtuesit e lartë të Kishës Katolike filipinase, klerikët duhet të jenë të gatshëm të “përballen me vdekjen dhe rrezikun” pa armë.
“Kemi marrë 246 kërkesa për leje armësh zjarri nga 188 priftërinj dhe 58 pastorë e predikues”, bëri të ditur Oscar Albayalde, shef i Policsë Kombëtare të Filipineve. Ai thotë se e mbështet idenë e armatosjes së priftërinjve përsa kohë ata janë të kualifikuar për të mbajtur një armë zjarri. Madje, zyrtari i lartë i policisë thotë se forcat e rendit janë të gatshme për të ofruar trajnime për priftërinjtë.
Kohët e fundit, në Filipine ka pasur rritje të dhunës ndaj figurave të besimit fetar. Tre priftërinj janë vrarë në 6 muajt e fundit. Viktima e fundit ishte atë Richmond Nilo, i cili u qëlllua për vdekje më 10 qershor brenda në kishë ndërsa përgatitej për meshën e radhës.
Ligji filipinas e lejon mbajtjen e armëve të zjarrit me rreze të shkurtër, me kusht që ato të mos nxirren nga shtëpia. Leja u jepet vetëm personave, jeta e të cilëve konsiderohet në rrezik, pasi janë bërë verifikimet nga policia. Procedurat në lidhje me këtë të fundit anashkalohen për pesonat, profesionet e të cilëve i vendosin ata në kategorinë e “rrezikut të lartë”. Figurat e klerit hyjnë në këtë kategori.
Ndërkohë që priftërinjtë duken të shqetësuar për të mbrojtur veten, hierarkia katolike e vendit është skeptike për armatosjen e priftërinjve, duke këmbëngulur se ata duhet të jenë njerëz të paqes dhe duhet të "përballen me vdekjen" pa armë.
"Unë e kundërshtoj fuqishëm armatosjen e priftërinjve. Ne jemi njerëz të Perëndisë, njerëz të kishës dhe është pjesë e shërbimit tonë për t'u përballur me rrezikun, për t'u përballur me vdekjen", citon gazeta “Standard” e Manilës arkipeshkvin Davao Romulo Valles. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



