Tre muaj para zgjedhjeve, qeveria, me një vendim të Këshillit të Ministrave, ka hapur rrugë për kultivimin e kanabisit mjekësor duke përcaktuar 10 zonat më të përshtatshme.
Në VKM janë përjashtuar zona e Myzeqesë dhe e Korçës, ndërsa parcelat e tokës nuk mund të shtrihen brenda kufirit të zonave të mbrojtura, zonave ushtarake dhe pranë shkollave.
Lidhur me këtë gazetari Xhevair Zhabina në ‘MCN Live’ u shpreh se duhet të ngrihet një strukturë e posaçme për kultivimin e kanabisit mjekësor.
Ai tha se dhe përcaktimi i 10 zonave ku do kultivohet kanabisi mjekësor mund të krijoj një debat se kush do marrë licencën dhe kush do e kultivojë, kjo do jetë lufta më e madhe.
Kultivimi kanabisit mjekësor gjithmonë hidhet për diskutim në momente parazgjedhore dhe jemi fiks në një moment të tillë dhe sigurisht që kjo sjell njëlloj ngatërrese të qytetarëve sepse kultivimi i kanabisit mjekësor ngatërrohet me kultivimin e kanabisit.
Duhet një punë shumë e madhe nga ana e institucioneve mjekësore për të kuptuar se ky kultivim kanabisi mjekësor është ndryshe nga ai i kanabisit.
Do ngrihet një strukturë e posaçme ku besoj do jenë një sërë ministrish për të qenë pjesë e strategjisë si ministria e bujqësisë, ajo e shëndetësisë, dhe përcaktimi i këtyre 10 zonave kam përshtypjen se do krijohet një debat sepse aty do përcaktojmë se kush do marrë licencën dhe kush do e kultivojë, kjo do jetë lufta më e madhe.
Më tej ai shtoi se kjo gjë ka debat për një arsye të thjeshtë për eksperiencën që vendi ynë ka pasur me kanabisin ku në 10 vitet e fundit të paktën ka qenë më e pakontrolluar.
Nuk mendoj se kultivimi i kanabisit mjekësor do ketë ndikim të madh te fermeri shqiptar, mendoj se do jenë disa grupe të caktuara interesi persona dhe kompani që kanë para për të investuar, por rreziku më i madh në këtë histori është se cilat do jenë filtrat që do kalojnë këto kompani që do marrin këto licenca.
Mjafton të sjellim shembullin e Maqedonisë së Veriut dhe shohim se ka dështuar me sukses. Pamë që persona të lidhur me grupe të caktuara kriminale kultivonin kanabis dhe e nxirrnin në treg në mënyrë ilegale. Prandaj them se duhet parë se cilat do jenë masat që do ndërmarrë shteti për ti parandaluar këto.



