Nga Mustafa Nano
Në datën 26 shtator, do të mbahen zgjedhjet federale në Gjermani. Një gjë është e sigurt që tani: Angela Merkel nuk do të jetë më kancelare. Është kjo e fundit që na ka bërë me dije prej kohësh se do të largohet. Ajo po largohet pas 16 vjetësh në pushtet. 16 vite janë shumë jo vetëm me standardin gjerman, por me çdo standard. 16 vite janë shumë edhe me standardin shqiptar të këtyre kohëve, e madje edhe me atë turk. Megjithatë, përshtypja që ka bërë, apo shenja që ka lënë Angela Merkel gjatë 16 viteve në zyrën e kancelares, nuk është e njëjta që do të linte ndonjë person tjetër në të njëjtën periudhë, në të njëjtën zyrë, në të njëjtën detyrë. Dhe kjo ka të bëjë me faktin se Angela Merkel është e ndryshme, është ndryshe nga të tjerët për një numër arsyesh.
Angela Merkel është një nga politikanet më atipike të botës së sotme. Po ta fillojmë vlerësimin edhe nga paraqitja e saj fizike, ajo është një zonjë që nuk merr poza, nuk është spitullaqe, nuk është vanitoze. Asaj nuk i pëlqejnë ekzagjerimet, nuk i intereson të bjerë në sy, nuk i intereson të tërheqë vëmendjen, nuk i intereson të prodhojë bujë. Aq shumë është e çinteresuar ndaj spektaklit të politikës, saqë shumëkush mund ta shohë e ta mendojë si një qenie humane pa stil. Por edhe nëse është kështu, pikërisht këtu është magjia e saj. “It’s a feature, not a bug” do të thoshin britanikët dhe amerikanët. Te mungesa e stilit, apo tek ajo çfarë unë vet quaj mungesë stili, ka shumë njerëz që shohin një lloj epërsie të Angela Merkel. Ata shohin finesë, urtësi, mençuri, klas edhe shumë gjera të tjera. Ata shohin një njeri të dhënë pas substancës, pas thelbit, pas përmbajtjes. Shohin një njeri i cili nuk ka qenë i interesuar aq sa duket përgjatë 16 viteve në pushtet. Angela Merkel, me sjelljen e saj publike, është përpjekur t’u thotë gjermanëve (sipas meje): “Është e vërtetë që kam qenë për 16 vite në zyrën e kancelares. Kam qenë për 16 vite në pushtet. Por unë këtë punë e kam bërë për ju, nuk e kam bërë për vete. Po të ishte për mua nuk do ta kisha bërë, sepse është një punë që nuk më pëlqen.” Po të shihni portretin e saj në cilëndo fotografi ai është njëlloj. Ajo demonstron një lloj mungese pasioni për politikën, një lloj profili të ulët (përsëris edhe një herë) larg çdo spektakli. Me këtë besoj se ua ka marrë mendjen gjermanëve. Ndoshta për këtë arsye gjermanët kanë votuar në vijimësi për të, e ndoshta do të votonin përsëri. T’i japësh pushtet një njeriu që e ka zët pushtetin është një punë e paqme. Duket se është gjëja e duhur për t’u bërë.
Por kjo është dukja. Sepse në të vërtetë, gjërat mund të jenë edhe ndryshe. Nuk duhet përjashtuar se Angela Merkel, pas pamjes me të cilën manifeston një mungesë pasioni për politikën, mund të fshehë një etje të madhe për politikën. Për shembull, tani që ajo ka dhënë njoftimin se pas datës 26 shtator, nuk do të jetë më në politikë, nuk do të jetë më kancelare, ajo ndoshta është duke vuajtur. Ndoshta është duke vajtuar faktin se pas asaj dite, ajo do të jetë larg salloneve dhe korridoreve të politikës së madhe. Do të jetë larg kontakteve me njerëzit e rëndësishëm të kësaj bote, me njerëz që kanë në dorë vendimmarrjen. Përveç kësaj, kur vjen puna te vlerësimi i një politikani, ne shpesh bëjmë një ngatërresë. Ne ngatërrojmë personin me personazhin. Kjo është një ngatërresë që nuk do të duhej ta bënim. Te politikani nuk duhet të shohim personin. Duhet të shohim personazhin. Dua të them se personi mund të jetë i mirë, i fisëm. Por personazhi që ka lidhje me të njëjtin person mund të jetë i rrezikshëm, shumë i keq. Ose edhe anasjelltas: personi mund të jetë harbut, mizerabël, por personazhi që lidhet me të njëjtin person mund të jetë i dobishëm për komunitetin të cilit ai person, apo ai personazh, i përket.
Me këtë dua të them se në vlerësimin e Merkel, apo të kujtdo tjetër, nuk duhet të shohim vetitë personale, cilësitë personale, por duhet të shohim bëmat e personazhit. Me këtë logjik, unë mendoj (dhe këtu po bëj një parashikim timin) se historia nuk ka për ta vlerësuar Angela Merkelin aq sa e vlerësojmë ne sot. Historia do t’i kursejë fjalët e mira. Të paktën, nuk do t’i ketë në të njëjtën masë që i kemi ne sot. Për shembull: te një vlerësim politik, historia do të regjistrojë faktin se ajo si konservatore, ka qenë gjatë gjithë kohës, një konservatore “aguridhe”, në kuptimin “e papjekur”. Ajo nuk ka qenë tamam konservatore. Madje, unë kam përshtypjen se ajo nuk ka qenë asnjëherë esencialisht konservatore. Liberalët amerikanë – demokratët - njihen edhe si anti-konservatorë. Me përkufizim, ata janë më konservatorë sesa më konservatorët e kontinentit plak. Më konservatorë sesa Angela Merkel, e cila është bërë njësh me progresistët e Europës. Në fushën e vlerave, nuk i njoh një qëndrim që të jetë konservator.
Diçka tjetër që do t’i mbahet mend për keq në histori ka të bëjë me faktin se në harkun e 16 viteve që Gjermania e Europa ishte nën hyqmin e Angela Merkel-it, procesi i unifikimit europian ngeci në vend, pati një lloj prapakthehu. Besoj se kjo gjë në biografinë e saj politike shenjon një mosarritje, një dështim.
Por është edhe një gjë e fundit. Është diçka që unë mendoj se është një lajthitje e Angela Merkel. Kjo ka të bëjë me vendimin e saj të vitit 2015 për të hapur portat e Gjermanisë dhe të gjithë Europës për më shumë se një milion emigrantë arabë. Ajo mburret edhe sot me këtë vendim, dhe ndoshta e konsideron si gjënë më të mirë që ka bërë në të gjithë karrierën e vet politike. Por ky është rasti për të thënë: “It’s a bug, not a feature”, duke iu referuar të njëjtës shprehje që përmenda më sipër në anglisht. Kjo sepse edhe gjermanët, po vihet re, se janë ftilluar për pasojat e atij vendimi, i cili në momentin kur u mor, u pompua si një vendim i fisëm. Dhe ishte i tillë! Por pasojat do të vuheshin më vonë, dhe po vuhen aktualisht nga gjermanët. Ata tashmë janë ftilluar, e pas disa vitesh do të ftillohen akoma edhe më shumë. Për këtë arsye, Angela Merkel-in do të duan edhe ca më pak.



